Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Mbretëresha Qiellore: Papa lutet për koptët e Egjiptit dhe kërkon kthimin e terroristëve

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - ANSA

28/05/2017 15:20

“Zoti i shndërroftë zemrat e terroristëve”. Këtë kërkoi Papa në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke i shprehur edhe një herë afërsinë e tij Kishës Kopte-ortodokse të Egjiptit, gjakosur nga atentati xhihadist i dy ditëve më parë, e duke kujtuar edhe viktimat e dhunës në Arenën e Manchester-it, të hënën e kaluar. Para se të fliste për dhunën kundër koptëve, Papa u ndalua te solemniteti i sotëm i të Shëlbuemit. Françesku  pohoi se ky solemnitet na kujton dinjitetin dhe përgjegjësinë, që na la Jezusi, për t’ia kumtuar Ungjillin mbarë botës.

Zoti i shndërroftë zemrat e terroristëve dhe i mirëpritët dëshmitarët e fesë

Papa vijoi të shprehë edhe sot, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, dhimbjen për masakrimin e besimtarëve koptë në Egjipt, kryer nga dora e xhihadistëve. Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë i shprehu afërsinë e tij Patrikut të koptëve, vëllait të dashur Tawadros si dhe mbarë kombit egjiptian, viktimë e një dhune të egër, duke kërkuar edhe shndërrimin e zemrave:

“Viktimat, ndërmjet të cilave dhe fëmijë, janë besimtarë që shkonin në një shenjtërore për t’u lutur e u vranë, pasi nuk pranuan ta mohonin fenë e tyre të krishterë. Zoti i pranoftë në paqen e tij këta dëshmitarë të guximshëm, këta martirë, e i ktheftë në rrugën e vet zemrat e terroristëve”.

Françesku u kërkoi përsëri besimtarëve lutje për viktimat e atentatit të tmerrshënm të së hënës së kaluar në Manchester, gjatë koncertit në Arenën e qytetit…:

“… ku shumë jetë të reja u këputën mizorisht. Jam pranë familjarëve dhe të gjithë atyre, që qajnë për vdekjen e të dashurve”.

Solemniteti i të Shëlbuemit na kujton besimin e sigurinë e Jezusit në dëshminë tonë

Në fillim të lutjes, duke u ndaluar tek kuptimi i solemnitetit të sotëm të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, Françesku kujtoi  Ungjillin e Mateut, që flet për ndarjen përfundimtare të të Ngjallurit nga dishepujt e vet. Atyre, akoma dyshimtarë, pasi kaluan përmes zjarrit të mundimeve e të ngjalljes, Jezusi u lë detyrën e pafundme të ungjillëzimit të botës, duke mësuar e duke pagëzuar. Pra - kujtoi Françesku - Kisha e vijon që këtu misionin e saj:

“Që nga ky çast, prania e Krishtit në botë ndërmjetësohet nga dishepujt, ata që besojnë në të dhe që e kumtojnë. Ky mision do të vijojë deri në mbarim të historisë, në praninë e përditshme të vetë Zotit të ngjallur, i cili na siguron: ‘Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!’”.

E pikërisht prania e Krishtit jep forcë në persekutime, ngushëllim në mundime, mbështetje në vështirësitë e këtij misioni - siguroi Françesku - e është pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell, që na e kujton këtë:

“Të Shëlbuemit na e kujton këtë ndihmë të Jezusit e të Shpirtit Shenjt, që i jep besim, i jep siguri dëshmisë sonë të krishterë në botë”.

Papa, në vijim, kujtoi edhe pse ekziston Kisha: Kisha ekziston për të kumtuar Ungjillin, vetëm për këtë! E edhe gëzimi i Kishës është të kumtojë Ungjillin. Kisha jemi të gjithë ne, të pagëzuarit. Sot grishemi ta kuptojmë më mirë se Zoti na dha dinjitet të madh e përgjegjësi të madhe për ta kumtuar në botë, për ta bërë të kuptueshëm për njerëzimin. Ky është dinjiteti ynë; ky, nderi më i madh, që na bëhet ne, të pagëzuarve.

Misioni ungjillëzues nuk varet nga ne, por nga Shpirti Shenjt 

Me sytë drejtuar nga qielli, në këtë festë - porositi akoma Papa - t’i forcojmë hapat tonë për vijimin e misionit, të vetëdijshëm se ai nuk varet prej nesh:

“Jemi pra, të vetëdijshëm se kjo nuk varet në radhë të parë nga forcat tona, nga aftësitë organizative dhe nga burimet njerëzore. Vetëm me dritën e me forcën e Shpirtit Shenjt, ne mund ta kryejmë me fryt misionin tonë, për t’i bërë të tjerët ta njohin e ta provojnë gjithnjë më shumë dashurinë dhe dhembshurinë e Jezusit”.

Në përshëndetjet përfundimtare, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku iu drejtua edhe punonjësve të Mediaset Roma, të cilët i uroi t’i zgjidhin problemet e punës së tyre duke vënë gjithnjë në plan të parë të mirën e vërtetë të sipërmarrjes e duke mos menduar vetëm për fitimin, por, sidomos, për respektimin e të drejtave, nisur nga e drejta për punë.

28/05/2017 15:20