2017-05-28 05:30:00

40-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të Benediktit XVI


Sot kremtohet 40-vjetori i shugurimit ipeshkvnor të Papës së nderit, Benedikti XVI. Joseph Ratzinger u shugurua ipeshkëv më 28 maj 1977 në Liebfrauendom, katedralja e Mynihut. Me emërimin e tij, pas 80 vjetësh, katedra ipeshkvnore i besohej sërish një meshtari të dioqezës së madhe bavareze. Në koncistorin e 27 qershorit të po atij viti, u krijua kardinal nga Papa Pali VI.

Nga 19 prilli 2005 deri më 28 shkurt 2013, ka qenë Papa i 265-të i Kishës Katolike dhe ipeshkëv i Romës. Në koncistorin e 11 shkurtit 2013 lajmëroi se do të hiqte dorë nga shërbimi i tij pjetrin, duke i hapur rrugën zgjedhjes së Papës Françesku. Është papa i tetë që bën këtë gjest, pas Klementit I, Poncianos, Silverios, Benediktit IX, Gregorit VI, Çelestinit V dhe Gregorit XII, për të cilët ka burime historike të sigurta.

Jetëshkrimi i Atit Shenjtë Papa Benediktit XVI

Papa Jozef Ratcinger lindi në Marktl am Inn, në dioçezën e Passaut (Gjermani) më 16 prill 1927. I jati, komisar i xhandarmërisë, vinte nga një familje e lashtë bujqish të Bavarisë së poshtme.
Si i kaloi vitet e adoleshencës në Traunstein, në vitet e fundit të Luftës II Botërore u thirr në shërbim ushtarak e pikërisht në shërbimin ndihmës për ruajtjen e hapësirës ajrore.
Nga viti 1946 deri në vitin 1951, vit në të cilin, u shugurua meshtar (29 qershor), filloi veprimtarinë e mësimdhënies, studioi filozofi e teologji në Universitetin e Munihut dhe në shkollën e lartë të filozofisë e të teologjisë të Freisingës. Në vitin 1953 mbrojti disertacionin me temë: “Populli dhe shtëpia e Zotit në Doktrinën e Kishës sipas Shën Agostinit”, me të cilën fitoi titullin e doktorit në teologji. Katër vjet më vonë mori titullin e doçencës së pavarur me punimin mbi “Teologjinë e historisë së Shën Bonaventurës”.
Pas dhënies së mësimit të Dogmatikës e të Teologjisë themelore në Shkollën e lartë të Filozofisë e të Teologjisë të Freisingës, vijoi të jepte mësim në Bon, nga vitet 1959- 1969; në Munster, nga 1963 deri më 1966; e në Tubingen nga 1966 deri më 1969. Në këtë vit u bë profesor i Dogmatikës dhe i Historisë së dogmave në universitetin e Regensburgut si dhe zëvendës- drejtor i të njëjtit universitet. Ndërkaq, që nga viti 1962, fitoi famë ndërkombëtare duke folur, si këshilltar teologjik i kryeipeshkvit të Këlnit, kardinalit Joseph Frings, në Koncilin II të Vatikanit, ku dha një kontribut të shquar.
Ndër botimet e shumta, një vend të posaçëm zënë “Hyrje në krishtërim”, përmbledhje e mësimeve universitare mbi praktikimin e fesë apostolike, publikuar në vitin 1968; “Dogma e zbulime”, antologji me studime, predikime e reflektime, kushtuar punës baritore, dalë nga shtypi më 1973. Jehonë të madhe pati edhe ligjërata që mbajti pranë Akademisë Katolike Bavareze me temë: “Jehonë: Pse jam akoma në Kishë?”, në të cilën pohonte: “vetëm në Kishë është e mundur të jesh i krishterë, e jo pranë Kishës”. Vitit 1985 i përket vëllimi “Raport mbi fenë”: 1996-të,” Kripa e tokës”.
Më 24 mars 1997 Pali VI e emëroi Kryeipeshkëv të Munihut dhe Freisingës.
U shugurua ipeshkëv me 28 maj të të njëjtit vit. Ishte prifti i parë dioqezan që merrte në duar, pas 80 vjetësh, drejtimin baritor të dioqezës së madhe bavareze.
U krijua kardinal nga Pali VI në Koncistorin e 27 qershorit 1977, me titujt e Shën Marisë Ngushëlluese në Tiburtinë, të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit (5 prill 1993) dhe të Kishës Suburbikare të Osties (30 nëntor 2002).
Ishte relator në Asamblenë e përgjithshme te Sinodit te Ipeshkvijve (1980) me temë: “Detyrat e familjes së krishterë në botën bashkëkohore”, si dhe kryetar-delegat i Asamblesë VI sinodale (1983) ku foli mbi temën “pajtimi e pendesa në misionin e Kishës”.
Më 25 nëntor 1981 u emërua nga Gjon Pali II Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; Kryetar i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Nderkombëtar.
Më 5 prill 1993 u bë anëtar i Urdhrit të Kardinajve- Ipeshkvij, me titull të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit.
Më 6 nëntor 1998 u zgjodh zëvendës–dekan i Kolegjit kardinalor. Më 30 nëntor 2002 Papa miratoi zgjedhjen e tij, me kërkesë të kardinajve të urdhrit të ipeshkvijve, si Dekan i Kolegjit kardinalor.
Ka qenë Kryetari i Komisionit për përgatitjen e Katekizmit të Kishës katolike, i cili pas gjashtë vjet pune (1986-1992) ia paraqiti Katekizmin e ri Gjon Palit II.
Nga 10 nëntori i vitit 2000 është akademik nderi i Akademisë Papnore të Shkencave.
Dha ndihmesë të shquar si anëtar: 
i Këshillit të Seksionit II të Sekretarisë së Shtetit;
i Kongregatave: për Kishat Lindore, për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, për Ipeshkvijtë, për Ungjillëzimin e popujve, për Edukimin Katolik; i Këshillave papnore: për nxitjen e bashkimit të të krishterëve; të Kulturës; i Komisioneve papnore: për Amerikën Latine dhe “Ecclesia Dei”. 
U zgjodh papë më 19 prill 2005; e filloi shërbimin e tij baritor si Kryebari i Kishës Katolike Universale më 24 prill 2005, me emrin papnor Benedikti XVI.
Ka shkruar tri enciklika: “Deus caritas est”, në vitin 2005; “Spe salvi”, në vitin 2007 dhe Caritas in Veritate, në vitin 2009. Ka bërë 23 shtegtime apostolike jashtë kufijve të Italisë, 26 në Itali. Gjatë 4 Koncistoreve, ka krijuar 84 kardinaj të rinj.

Më 28 shkurt 2013 Papa Benedikti XVI u largua nga misioni i udhëheqjes së Kishës Universale, siç pati njoftuar gjatë Koncistorit të 11 shkurtit 2013.

Lajm historiki, i papritur e i përvuajtur i Papës Benediktit XVI dhënë më 11 shkurt 2013 gjatë Koncistorit kardinalor publik mbajtur më 11 shkurt 2013 paradite në Vatikan, ishte ai i dorëheqjes nga papnia e tij, të dorëheqjes nga shërbimi ipeshkëvnor në selinë e Pjetrit, më 28 shkurt 2013, në ora 20.00. Pra, në Koncistorin e 11 shkurtit 2013 për shpalljen e shenjtorëve të rinj, Papa Benedikti XVI bëri një deklaratë pa precedent, me të cilën shpalli se jep dorëheqjen nga shërbimi papnor më 28 shkurt, e misioni tij përfundoi në fund të shkurtit 2013. Ja deklarata e plotë e Atit të Shenjtë Joseph Ratzinger:
 

“Të dashur Vëllezër,
ju thirra në këtë Koncistor jo vetëm për tre shenjtërimet, por edhe për t’ju komunikuar një vendim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës. Pasi rrëmova shumë herë ndërgjegjen time para Zotit, jam tashmë i sigurt se forcat e mia, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të mjaftueshme për të ushtruar si duhet shërbimin tim pjetrin. Jam mëse i vetëdijshëm se ky shërbim, për thelbin e tij shpirtëror, duhet të kryhet jo vetëm me vepra e me fjalë, por jo më pak, edhe duke vuajtur e duke u lutur. Gjithsesi, në botën e sotme, e cila u nënshtrohet ndryshimeve të shpejta e shqetësohet nga çështje me rëndësi të madhe për jetën e fesë, për të drejtuar barkën e Shën Pjetrit e për të shpallur Ungjillin, është e nevojshme si fuqia e trupit, ashtu edhe e shpirtit, fuqi, që gjatë muajve të fundit, më ka lënë aq, sa të pranoj se nuk jam më në gjendje ta kryej si duhet shërbimin, që m'u besua. Për këtë, mëse i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij akti, me liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit, që m'u besua përmes kardinajve më 19 prill 2005, në mënyrë të tillë që, nga 28 shkurti 2013, në orën 20.00, selia e Romës, selia e Shën Pjetrit, të jetë vakante e të thirret nga ata, që e kanë për detyrë, Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.
Të dashur vëllezër, ju falënderoj me gjithë zemër për gjithë dashurinë e punën me të cilën keni mbajtur bashkë me mua, peshën e ministerit tim, e ju kërkoj falje për të gjitha të metat e mia. Tani, t’ia besojmë Kishën Shenjte kujdesit të Bariut të saj, Zotit tonë, Jezu Krishtit e, t’i lutemi Marisë, Nënës së tij të shenjtë, që t’i ndihmojë me mirësinë e saj amnore etërit kardinaj në zgjedhjen e një Pape të ri. Përsa më përket mua, edhe në të ardhmen, do t’i shërbej me gjithë zemër, me një jetë kushtuar lutjes, Kishës së Shenjtë të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.