2017-05-27 17:36:00

Papa: punë e dinjitet për të gjithë. Ta heqësh është antikushtetuese


Françesku në Ilva të Gjenovës kujtoi nenin I të Kushetutës Italiane, që pohon se “Puna është miku i njeriut e njeriu, mik i punës”. Burra e gra ushqehen me punë e me punë bashkohen me të njëjtin dinjitet. Prej këndej rreth punës ndërtohet pakti shoqëror, sepse kur nuk punohet, punohet pak, keq ose tepër, hyn në krizë vetë demokracia. Eshtë krejtësisht pakt shoqëror e ky, edhe kuptimi i Nenit I të Kushtetutës italiane, që është shumë i bukur:

“Mund të themi - kujtoi Papa - se t’u heqësh punën njerëzve, ose t’i shfrytëzosh njerëzit me punë të padenja a të keqpaguara, është krejtësisht antikushtetuese. Nëse nuk do të themelohej mbi punën, Italia nuk do të ishte demokraci”.

Prej këndej, qortimi i Françeskut: të shikohen me përgjegjësi shndërrimet teknologjike, pa iu nënshtruar ideologjive. “Një gjë është e qartë: ku nuk ka punë për të gjithë, nuk ka as dinjitet për të gjithë!”.

A e dini përqindjen e të rinjve 25 vjeç e poshtë, që jetojnë në Itali? Nuk po jua them. Kërkojeni vetë në statistika. Këta të rinj rriten pa dinjitet. Kjo është çështja: një çek shtetëror mujor, që të ndihmon të mbash familjen, nuk e zgjidh problemin. Problemi zgjidhet vetëm duke u siguruar punë të gjithëve.

Papa fton të ndryshohet vizioni, nëse e duam të mirën e sipërmarrjes, të punëtorëve dhe të ekonomisë. Vlerë tjetër, a më mirë mohim vlere, është e shumëbrohoritura meritokraci - kujtoi Papa - që manipulohet dhe e humbet fare natyrën e vet. Meritokracia po bëhet gjithnjë e më shumë legalizim etik i pabarazisë.

Objektivi nuk është sigurimi i të ardhurave për të gjithë, por i punës për të gjithë. Dilet në pension në moshën e duhur, por nuk mjafton që shteti t’i japë një kafshatë bukë pensionistit: duhet t’i japë dinjitet. Atje ku i moshuari e humbet dinjitetin për shkak të mungesave që shteti mund e duhet t’i plotësojë, nuk mund të thuhet se ka demokraci. Pa punë e me të ardhura të pamjaftueshme edhe mund të mbijetosh, por pa dinjitet, jo! Sepse pa punë nuk ka dinjitet. Nuk mund të jetosh një jetë vërtet njerëzore, kur mendon vetëm për të mbajtur frymën gjallë, larg plotësimit të kërkesave më fillestare, pa të cilat jeta nuk mund të quhet jetë! Ky, problemi! E mund të zgjidhet vetëm duke u siguruar punë të denjë e pensionim të denjë të gjithëve. Këtë kërkoi Papa nga takimi me punëtorët në Ilva të Gjenovës.








All the contents on this site are copyrighted ©.