2017-05-27 19:08:00

Papa: Jezusi është avokati ynë, t’ia besojmë çështjet më të rëndësishme!


“Të mos fundosemi në detin e të këqijave të jetës”. Këtë kujtoi Papa, duke kremtuar Meshën në Sheshin Kenedy të Gjenovës. Gjatë ditëve tona  rendim e punojmë shumë, merremi me një mori gjërash, pastaj rrezikohemi të arrijmë në mbrëmje të lodhur e me shpirtin e rënduar, të ngjashëm me një anije ngarkuar me mallra që, pas një lundrimi të lodhshëm, hyn në port me një dëshirë të vetme: të ankorohet e të shuajë dritat - vërejti Papa. - Të jetosh gjithnjë në rendje, me shqetësimin e njëmijë sendeve që duhen bërë, ka rrezik të habitemi, të mbyllemi në vetvete e të shqetësohemi edhe për gjëra pa pikë rëndësie:

“Që të mos fundosemi në detin e të këqijave të jetës, duhet të kujtohemi ditë për ditë ta hedhim spirancën në Zotin: t’i çojmë para tij barrët e rënda, njerëzit, situatat, t’ia besojmë gjithçka. Kjo është forca e lutjes, që lidh qiell e dhe, që i krijon Zotit kushtet të ndërhyjë në kohën tonë”.

Jezusi është si avokat, të cilit mund t’ia besojmë çështjet më të vështira - kujtoi Papa – Ja, fjala-kyçe e pushtetit të Jezusit: ndërmjetësim! Jezusi ndërmjetëson pranë Atit për ne çdo ditë, çdo çast. Në çdo lutje, në çdo kërkesë tonën për falje, posaçërisht në Meshë, Jezusi ndërmjetëson; i tregon Atit shenjat e jetës së tij të flijuar, plagët e tij. E ndërmjetëson, duke  nxjerrë për ne hirin e mëshirës. Eshtë avokati ynë e, kur kemi ndonjë çështje të rëndësishme, bëjmë mirë t’ia besojmë, t’i themi:

“O Zot Jezus, ndërmjetëso për mua, për ne, për këtë njeri, për këtë situatë”.

Lutja e krishterë - kujtoi Papa Bergoglio - nuk është mënyrë për të ndenjur paksa në paqe me vetveten, ose për të gjetur harmoni shpirtërore: ne lutemi ‘për ta çuar gjithçka para Zotit, për t’ia beauar botën: lutja është ndërmjetësim. Nuk është qetësi, është bamirësi. Lutje do të thotë të kërkosh, të lypësh, të trokasësh. Është të vihesh në lojë, për të ndërmjetësuar, duke ngulmuar para Zotit njëra palë, për tjetrën. Të ndërmjetësojmë pa u lodhur kurrë: kjo, përgjegjësia jonë e parë, sepse lutja është forca, që e çon përpara botën. Është misioni ynë, mision që në të njëjtën kohë kërkon lodhje e jep paqe. Ja pra, pushteti ynë: nuk duhet të dalim mbi të tjerët, e as të bërtasim më fort, sipas logjikës së kësaj bote, por të përdorim forcën e butë të lutjes, me të cilën mund të ndalojmë edhe luftërat e të fitojmë paqen.

Gjatë homelisë, Papa e krahasoi të krishterin me maratonomakun. Nuk është vrapues shpejtësie, as kampion, që duhet të arrijë i pari. Është shtegtar, misionar, maratonomak që çon lajmin e shpresës. I butë, por i vendosur të vrapojë plot besim, e njëkohësisht aktiv; plot me frymë krijuese, e njëkohësisht me respekt; i shkathët e i hapur, punëdashës e solidar. Me këtë stil t’i përshkojmë udhët e botës. Si për dishepujt e zanafillës janë udhët e botës: e sidomos atje ku Zoti pret të njihet, sot:

“Si në origjinë, Zoti dëshiron që kumtimi të çohet me forcën e Tij: jo me forcën e botës, por me forcën  e kulluar e të butë të dëshmisë gazmore. Kjo është urgjente! T’i kërkojmë Zotit hirin të mos fosilizohemi në çështje, që nuk janë themelore, por t’i kushtohemi me mish e me shpirt urgjencës së misionit. T’ua lëmë të tjerëve  përgojimet e diskutimet e shtira të atyre, që vetë flasin e vetë dëgjojnë e të punojmë konkretisht për të mirën e përbashkët e për paqen”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.