2017-05-27 00:00:00

Papa Françesku viziton Gjenovën


Liguria e priti me krahë hapur Papën Françesku, që dje, pa shkrepur mirë dielli, nisi shtegtimin nëpër udhët e Gjenovës, duke kërkuar zemrën e çdo besimtari, për të ndezur në të, dritën e Krishtit. E, si zakonisht, takimi u shndërrua në festë të madhe. Festë ngjyrash e drite, në këtë fund maji. Festë me flamuj bardh e verdh shpalosur nga flladi i Portit, me vinçat e mëdhenj e me afishet, ku binte fort në sy portreti i Papës, buzagaz, si gjithmonë.

Qyteti e priti Papën me gëzim e entuziazëm të madh

Papa arriti në aeroportin gjenovez rreth orës 8.15. Për t’i uruar mirëseardhjen kishte dalë kryebashkiaku, Marco Doria, si përfaqësues i gjithë qytetit, tashmë nëpër rrugët ku do të kalonte Papa. Botë të ndryshme të një bashkësie të vetme, në pritje për t’u takuar me Françeskun.  Kardinali Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenovës dhe Kryetar i Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë, i kujtoi Papës, sapo shkeli në tokën gjenoveze, se do të gjente aty një Kishë të urtë e të matur, si vetë karakteri i gjenovezëve e, njëkohësisht, shumë punëtore, me dëshirën dhe angazhimin për t’u qëndruar pranë njerëzve në bashkësitë e tyre, pa ojna të veçanta, pa shpallje të bujshme, me maturinë e karakterit gjenovez - e prej këndej, gjithnjë vepruese.

Një det veprimtarish, besimi, gëzimi

Në orën 12.00 Papa u takua me të rinjtë, në Shenjtëroren e Zojës së Rojës, që vigjilon mbi qytetin qysh prej 500 vjetësh. Drekoi, pastaj, me të varfër, refugjatë, të pastrehë e të burgosur. Papa u solli një det me përgjegjësi, besim, gëzim, ashtu si sjell vetë Jezusi, kur njerëzit e marrin seriozisht.

Ledhatimi i Jezusit, në spitalin Gaslini

Pasdite, pastaj, takimi tejet i pritur me të sëmurët e vegjël dhe prindërit e tyre, në Spitalin pediatrik “Giannina Gaslini”. Tejet të përgatitur për takimin, të vegjlit, të cilët Papa i përshëndeti tri ditë para se të vinte, përmes Radios famullitare “Radio ndërmjet notave”. Do të vij e të rri disa çaste pranë jush - u tha - e ja, e mbajti fjalën. Erdhi. Fëmijët e ndjenë fuqimisht praninë e Atit të Shenjtë ndërmjet tyre, si prania e atit, si bekimi, që ngjall shpresa për ditë më të mira. E Papa u solli pikërisht ledhatimin e Jezusit, duke i takuar “zemër për zemër” të sëmurët e vegjël dhe prindërit e tyre. Françesku vizitoi posaçërisht repartin e reanimacionit dhe atë të terapisë intensive, bërthamë kryesore e spitalit e reparte, që ndikojnë më shumë në këndvështrimin emocional.

Gjenova përqafoi Papën

Takimi i Papës me Gjenovën arriti kulmin pasdite, kur Françesku kryesoi Meshën Shenjte në zonën e Panairit të Detit, në Shehin Kenedy. E gjithë Gjenova u mblodh rreth Atit të Shenjtë. E gjithë Gjenova u lut me Papën, i dëgjoi fjalët e tij, që do ta ndihmojnë të shikojë përpara. E gjithë Gjenova ishte në atë shesh edhe e për t’i thënë Françeskut “Atë i Shenjtë, të duam shumë!”. Ishte një përqafim, si ai që e shikojmë edhe në logon e zgjedhur për vizitën e Papës, me profilin e qytetit dhe një përqafim shumë të përzemërt.








All the contents on this site are copyrighted ©.