2017-05-26 13:03:00

Filloi vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Shqipërisë. Me ne, imzot Kabashi e dom Kulli


Filloi sot në Vatikan, vizita “ad Limina Apostolorum” e ipeshkvijve të Shqipërisë. Është e treta herë, që ipeshkvijtë e atdheut të shqipeve vijnë “tek varret e Apostujve” në Romë. Në një intervistë për Radio Vatikanin, kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, nënvizoi se Kisha katolike e vendit ka shumë t’i japë Kishës universale. Ajo “mbart një freski, që nuk mund të injorohet – nënvizoi imzot Massafra. Jemi Kishë e re, ku ndjehet dëshira për t’u rritur e zhvilluar. Por jemi edhe një Kishë me histori e traditë, që mban ngjyrën e gjakut të martirëve të vet, 38 prej të cilëve u shpallën të Lum më 5 nëntorin e kaluar. Sigurisht – theksoi imzot Massafra – ata janë pasuri, që duhet njohur, sidomos për shembullin, që mund t’u japin brezave të rinj, për dashurinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës”.

Sot në mëngjes, ipeshkvijtë katolikë shqiptarë e filluan ditën me Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në orët e mëpasshme të paradites, ipeshkvijtë e Shqipërisë vizituan Kongregatën e Selisë së Shenjtë për Ipeshkvijtë dhe në Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Po cilat janë arritjet, sfidat që ka Kisha katolike në realitetin e sotëm shoqëror dhe cili është roli e misioni i saj në Shqipëri? Për këto e të tjera ipeshkvijtë shqiptarë do të flasin këtyre ditëve me Selinë e Shenjtë, po t’i dëgjojmë dëshmitë e ipeshkvit të Jugut, imzot Hil Kabashit, dhe administratori dioqezan të Sapës, dom Simon Kullii, në mikrofonin e dom David Gjugjës….








All the contents on this site are copyrighted ©.