2017-05-26 15:03:00

Papa Misionareve të Vogla të Bamirësisë: misionare pa kufij


“Të jeni misionare pa kufij, të lira, krijuese e të binduara ndaj Shpirtit Shenjt, me zemrën plot gëzim, që gurron nga ungjillëzimi”. Kjo, porosia kryesore e Papës në takimin me Motrat e Vogla Misionare të Bamirësisë, Institut i themeluar nga Don Orioni.

Rregulltaret misionare u pritën në Vatikan, me rastin e Kapitullit të tyre të 12-të të përgjithshëm. Papa e shfrytëzoi këtë rast, për të pohuar edhe një herë çfarë i kërkohet misionarit e për t’ua propozuar rregulltareve ikonën e Pasisë së Zojës, si shembull shërbimi e misioni.

Porositë kryesore të Papës ishin: të jeni misionare pa kufij, me gëzimin e Krishtit në zemër. Misionare me shikimin e Bariut të Mirë, që nuk gjykon, por mëshiron. Mos harroni kurrë se misionari nuk kërkon rehati, nuk e pranon indiferencën, nuk jeton sipas mendësisë së botës. Të përkryera në mëshirë, kumtoni ndjesën e Atit, burim gëzimi, qetësie, paqeje.

Papa nënvizoi, kështu, rëndësinë e thirrjes së tyre të dyfishtë në shërbim të njerëzve të varfër e të sëmurë dhe në misionin ungjillëzues. Në përfundim   i drejtoi Familjes së Don Orionit thirrjen “të punojë në bashkëpunim të ngushtë, një mendjeje e një zemre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.