Papa Françesku priti sot, në Pallatin Apostolik, në dy audienca të veçanta, presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev dhe atë të ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Biseda private me Radev, ish-ushtarak, për herë të parë në Vatikan, zgjati rreth 20 minuta. Gjatë shkëmbimit të dhuratave, pas paraqitjes së delegacionit, presidenti bullgar i dhuroi Papës një ikonë të shenjtorëve Çirili e Metodi dhe një libër kushtuar jetës së Shën Gjonit XXIII, i cili ka qenë vizitator apostolik në Bullgari. Ndërsa Papa i dhuroi tre dokumentet e tij, Evangelii gaudium, Amoris laetitia e Laudato sii, si dhe një medalion të Shën Martinit, që i dhuron mantelin skamnorit.
Presidenti maqedonas Ivanov erdhi për vizitë tek Papa, i shoqëruar nga një delegacion, në të cilin bënin pjesë dhe dy popa ortodoksë. Bisedimet private zgjatën 15 minuta. Pas paraqitjes së grupit shoqërues, kreu i Shtetit i dhuroi Papës një kryq artizanal, skalitur me mjeshtri në dru, me stil të lashtë, shumë të lëmuar, vepër e murgjërve maqedonas. Papa edhe Ivanovit i ofroi tre tekstet si dhe medalionin e lartpërmendur të Shën Martinit.
Pas takimeve të tyre me Papën, si Radev, ashtu edhe Ivanov, biseduan me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.
All the contents on this site are copyrighted ©. |