2017-05-26 12:17:00

Françesku: i krishteri sytë i ka në qiell e këmbët në botë


Vendi i të krishterit është në botë, për të kumtuar Jezusin, por shikimi i tij drejtohet kah Qielli, për të qenë i bashkuar me Të: këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Galileja, vendi i parë i takimit me Jezusin

Shkrimi Shenjt - kujtoi Françesku në homeli - na kujton tri fjalë, tre vende, pika referimi të udhës së krishterë. Fjala e parë është kujtesa. Jezusi i ngjallur u thotë dishepujve t’i paraprijnë në Galile: këtu ishte takimi i parë me Zotin. E secili prej nesh e ka Galilenë e tij,  atje ku Jezusi na u duk për herë të parë, ku e njohëm, ku e patëm këtë gëzim, këtë entuziazëm ta ndiqnim pas: 

“Për të qenë i krishterë i mirë është e nevojshme ta ruash përgjithnjë kujtimin e takimit të parë me Jezusin, ose të takimeve të mëtejshme”.

Është hiri i kujtesës, që në çastin e provës na jep siguri.

Sytë në qiell e këmbët në tokë

Pika e dytë e referimit është lutja. Kur Jezusi ngjitet në qiell - shpjegoi Papa - nuk shkëputet nga ne:

“Fizikisht po, por mbetet gjithnjë i lidhur me ne, që të ndërmjetësojë për ne. Ia tregon Atit plagët, çmimin që pagoi për ne, për shëlbimin tonë”. Prandaj duhet të lypim hirin të kundrojmë qiellin, hirin e lutjes, lidhjen me në lutje Jezusin, që në këtë çast na dëgjon, është me ne:

“Pastaj është edhe një e tretë: bota. Jezusi, para se të shkonte - e dëgjuam dje në Ungjillin e të Ngjiturit në Qiell - u thotë dishepujve të vet: ‘Shkoni në botë e jini dishepujt e mi! Shkoni!’. Vendi i të krishterit është në botë për të kumtuar Fjalën e Jezusit, për të kujtuar se u shëlbuam, se Ai erdhi të na japë hirin, për të na  marrë të gjithë me vete e për të na çuar tek Ati”.

Kujtesë, lutje, mision

Kjo - vërejti Papa - është topografia e shpirtit të krishterë. Tre vende, tri pika referimi të jetës sonë: kujtesa, lutja, misioni. Tri fjalë, për udhën tonë, Galile, Qiell, botë:

“I krishteri duhet të lëvizë në këto tri përmasa e të kërkojë hirin e kujtesës:  që të mos e harroj çastin kur Ti më zgjodhe, të mos i harroj ato çaste, kur u takuam - këtë duhet t’i themi Zotit. Pastaj të lutemi, të shikojmë Qiellin, sepse Ai është atje, që të ndërmjetësojë për ne. E, pastaj, të nisemi për në në mision; e kjo  nuk do të thotë se të gjithë duhet të shkojnë jashtë vendit: të shkosh në mision do të thotë ta jetosh Ungjillin, të japësh dëshmi, t’u tregosh njerëzve si është Jezusi. E këtë duhet ta bësh me dëshminë e me Fjalën, jo vetëm duke treguar si është Jezusi e jeta e krishterë, e pastaj duke jetuar si pagan. Kjo nuk vlen fare. Kështu misioni nuk është mision.

Jeta e krishterë është gazmore

Ndërsa, po të jetojmë në kujtesë, në lutje e në mision - përfundoi Françesku - jeta e krishterë do të jetë e bukur e edhe gazmore:

“E kjo është fraza e fundit që Jezusi na thotë sot në Ungjill: ‘Atë ditë, ditën kur ju do ta jetoni kështu jetën e krishterë, do të dini gjithçka e askush nuk do të mund t’jua marrë gëzimin tuaj. Askush, sepse unë kam kujtesën e takimit me Jezusin, jam i sigurt se Jezusi është në qiell në këtë çast e ndërmjetëson për mua, është me mua, e unë i lutem dhe marr guximin të dal nga vetja e t’ua them të tjerëve e të jap dëshmi me jetën time se Zoti u ngjall, është i gjallë. Kujtesë, lutje, mision! Zoti na dhashtë hirin ta kuptojmë këtë topografi të jetës së krishterë e të shkojmë përpara me gëzim, me këtë gëzim, që askush nuk mund të na e marrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.