2017-05-26 12:52:00

Bagnasco: Papa në Gjenovë do të takohet me një Kishë pranë njerëzve


Gjenova është gati për të pritur Papën Françesku, i cili nesër do të shkojë në qytetin, që dikur, në kohën e republikave detare, konsiderohej Zonja e Deteve. Ati i Shenjtë do të takohet me Kishën e Liguries, me botën e punës, me të rinjtë. Do të drekojë me emigrantët dhe të burgosurit e do të përqafojë fëmijët e shtruar në Spitalin pediatrik Gaslini. Pasdite, mesha shenjte.

E presim Pasardhësin e Shën Pjetrit me gëzim e mirënjohje. Kështu thotë, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Gjenovës, kardinali Angelo Bagnasco, aktualisht, edhe kryetar i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës. Nesër, ai do ta presë Papën, që i shkon për vizitë në qytetin e Farit - simbol tipik i Gjenovës. Ç’Kishë do të gjejë Françesku? Të dëgjojmë kardinalin Bagnasco:

Një Kishë të matur, siç është karakteri i gjenovezëve e, njëkohësisht, shumë punëtore, me dëshirën për t’u qëndruar afër njerëzve të bashkësive të veta, pa zhurmë e pa bujë, por me veprimtari të frytshme. Uroj që Papa t’i japë një shtysë misionit, sepse ai është pjesë e Kishës. Pa të, Kisha nuk është vetvetja. Pas Kongresit Eukaristik të vitit të kaluar, kemi vënë në jetë një nismë të veçantë misionare, për të kumtuar Ungjillin në ambiente të ndryshme si: universiteti, shkolla, bota e punës, e kohës së lirë, e sportit… Pra, duam të shkojmë tek të rinjtë. Akoma është në vijim e sipër e, të shohim si do të jenë rezultatet. Sfidë tjetër është ajo e emigrantëve. Gjenova është qyteti i Liguries me më shumë emigrantë. Ne si Kishë përpiqemi t’i integrojmë, duke u mësuar gjuhën së pari e, pastaj, me formimin për punë, si: zdrukthtaria, ndërtimi, rrobaqepësia, bujqësia etj..








All the contents on this site are copyrighted ©.