2017-05-25 16:28:00

Programi i vizitës “ad Limina” të ipeshkvijve të Shqipërisë


 Vizita “ad Limina Apostolorum” e ipeshkvijve të Shqipërisë ne Vatikan nga data 26 maj deri me 1 qershor. Është e treta herë, që ipeshkvijtë e atdheut të shqipeve vijnë “tek varret e Apsotujve”, sepse ky është kuptimi i vizitës, gjatë së cilës ata do të takohen me Papën Françesku, por do të bëjnë edhe biseda me autoritete të ndryshme të Vatikanit, sipas pyetjeve e problematikave, që do të paraqesin.

Programi

Të premten në mëngjes, 26 maj, ipeshkvijtë e Shqipërisë do ta fillojnë vizitën 'ad Limina' e këndej ditën e parë me kremtimin e Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në orët e mëpasme të paradites, do të shkojnë në Kongregatën për Ipeshkvijtë dhe në Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Të shtunën, më 27 maj, ndërsa Papa Françesku është në Gjenovë të Italisë, ipeshkvijtë shqiptarë do të kremtojnë meshën, në orën 8.00, në Bazilikën e Zojës së Madhe, ndërsa në orën 11.00, do të shkojnë në Kongregatën për Klerin.

Të hënën, më 29 maj, do të kenë takime të ndryshme në Kongregatën për Doktrinën e fesë, në atë për Institutet e Jetës së Shuguruar e në Seksionin e Dytë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, që merret me punët e brendshme të Kishës Katolike. Kësaj radhe, mesha do të kremtohet në orën 16.30, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

Kulmi i vizitës ipeshkvijve të Shqipërisë në Vatikan do të jetë të martën, 30 maj, në audiencën me Papën Françesku, nga ora 10.30 deri më 12.30. Pasdite, ipeshkvijtë e Shqipërisë do të takohen me autoritetet e Dikasterit vatikanas për Familjen, Jetën dhe Laikët, si edhe me ata të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Të mërkurën, më 31 maj, takimet në Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe në Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Mesha do të kremtohet pasdite, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.

Kongregata për Edukimin Katolik dhe Këshilli Papnor për Tekstet Legjislative do të jenë institucionet ku do të shkojnë ipeshkvijtë shqiptarë të enjten, më 1 qershor, dita e fundit e takimeve të vizitës së tyre “ad Limina” në Vatikan.

Intervista e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra

Në një intervistë për Radio Vatikanin, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, nënvizoi se Kisha e vendit ka shumë t’i japë Kishës universale. Ajo “mbart një freski, që nuk mund të injorohet – nënvizoi imzot Massafra. Jemi Kishë e re, ku ndjehet dëshira për t’u rritur e zhvilluar. Por jemi edhe një Kishë me histori e traditë, që mban ngjyrën e gjakut të martirëve të vet, 38 prej të cilëve u shpallën të Lum më 5 nëntorin e kaluar. Sigurisht – theksoi imzot Massafra – ata janë pasuri, që duhet njohur, sidomos për shembullin, që mund t’u japin brezave të rinj, për dashurinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës”.

Vizita e parë “ad Limina” e ipeshkvijve shqiptarë u bë më 3 shkurt 2001, gjatë papnisë së shën Gjon Palit II

Vizita e parë “ad Limina” e ipeshkvijve shqiptarë u bë më 3 shkurt 2001, gjatë papnisë së shën Gjon Palit II, Papës, që me vizitën e tij apostolike të 25 prillit 1993 në Shqipëri, i dhuroi Kishës katër ipeshkvijtë e parë. Në vitin 2001, dy prej tyre, imzot Frano Illia dhe imzot Robert Ashta, ishin kthyer tashmë në Shtëpinë e Atit Qiellor, së bashku me kardinalin Mikel Koliqi, edhe ai i krijuar kardinal, për merita, nga Papa polak.

Me atë rast, Gjon Pali II, që i priti menjëherë pas përfundimit të Jubileut, i cili shënoi fillimin e mijëvjeçarit të ri, u përcaktoi ipeshkvijve të atëhershëm përparësitë e Kishës në Shqipëri. “Jam i sigurtë – u tha – së një stil mikpritës dhe me respekt për të gjitha karizmat do t’ju bëjë ta vlerësoni kontributin e misionarëve dhe të rregulltareve, që vijnë nga vende të tjera, por kanë vendosur t’i shërbejnë Krishtit e vëllezërve në Tokën tuaj… Më rëndësi themelore është pastaj, përgatitja e klerit dhe kujdesi për baritorinë e thirrjeve, sepse e ardhmja e Kishës lidhet me aftësinë për t’u dhënë atyre, që janë të thirrur në shërbimin meshtarak dhe në jetën rregulltare, një bagazh shpirtëror, doktrinor e baritor të qëndrueshëm e të vëmendshëm ndaj shenjave të kohëve”.

Papa Wojtila u pati kërkuar ipeshkvijve të kënë kujdes edhe të rinjtë e familjet, për t’i bërë ballë emigracionit, por edhe problemeve si aborti, prostitucioni, droga, hakmarrja, shfrytëzimi i grave dhe dhuna, të cilat ndiheshin në shoqërinë shqiptare të asaj kohe e akoma ndjehen edhe sot. Ngrijeni zërin, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve, e mos u tërhiqni kur është fjala për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu.

Në vitin 2008, gjatë papnisë së Benediktit XVI, vizita e dytë “ad Limina Apostolorum” e ipeshkvijve shqiptarë

Në vitin 2008, gjatë papnisë së Benediktit XVI, vizita e dytë “ad Limina Apostolorum” e ipeshkvijve shqiptarë. Edhe Papa Ratzinger, kujtoi shenjtin polak. “Një nga aktet e para të Papës së madh – u tha ipeshkvijve Benedikti XVI – ishte njohja e heronjve të fesë: kujtoj këtu, në veçanti, dëshminë e shkëlqyer të kardinal Koliqit, korife i një shpure të ngjeshur martirësh. Rikrijimi i hjerarkisë katolike ishte njohja e drejtë e bashkimit intim, që lidh popullin tuaj me Krishtin dhe kontribuoi në zgjerimin e hapësirës së forcave të reja të katolicizmit në tokën e Shqipërisë. Ju jeni rojtarët e kësaj lidhjeje, dhe ju takon sidomos juve detyra për ta nxitur me veprime e inciativa këtë unitet, që duhet të shfaqë misterin bazë dhe jetëdhënës të Korpit të vetëm të Krishtit, në bashkim me ministerin e Pasardhësit të Pjetrit”.

Tani, ipeshkvijtë e Shqipërisë, presin të takohen me Papën Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.