2017-05-25 14:38:00

Kardinali Parolin i shkruan presidentit të Meksikës për parandalimin e fatkeqësive natyrore


Bashkëpunim, i bazuar mbi parimin e së mirës së përbashkët, për të zvogëluar rrezikun nga fatkeqësitë natyrore. Këtë kërkon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një letër, dërguar presidentit të Meksikës, Enrique Peña Nieto. Kreu i shtetit meksikan kryeson Platformën Globale 2017, që është mbledhur në Kankun deri nesër, pikërisht mbi këtë temë. Takimi u organizua nga qeveria meksikane, Organizata Meteorologjike Botërore dhe nga Zyra e OKB-së për pakësimin e katastrofave.

Në emër të Papës Françesku, kardinali Parolin përvijon rrugën e parandalimit të fatkeqësive natyrore, duke kërkuar formimin e njerëzve dhe përfshirjen e bashkësive më të varfëra. Tre janë aspektet kryesore të letrës.

Së pari, këmbanat e alarmit, që mund të pengojnë humbjen e jetëve njerëzore. Për shembull, uji, që është pasuri e madhe natyrore, por edhe burimi kryesor i fatkeqësive. Kardinali kërkon të formohen njerëzit, që të dinë t’i pakësojnë rreziqet, të cilat mund të vijnë nga uji, ose nga elemente të tjera.

Pastaj, duhen përfshirë të varfërit në proceset e edukimit e të formimit, si material, ashtu edhe shpirtëror. Aspekti i tretë ka të bëjë me mobilizimin e bashkësive vendore, sidomos të indigjenëve. E këtu, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u jep rëndësi traditave fetare dhe kulturore, si pikë referimi për përballimin e ngjarjeve traumatizuese.

Për këtë, nevojitet një mendësi e re, e cila ta shohë të ardhmen e njerëzimit jo vetëm si një sasi çështjesh teknike për t’u zgjidhur, por si veprimtari për të mirën e krejt familjes njerëzore. Fatkeqësitë, nënvizon kardinali Parolin, nuk janë vetëm ato natyrore, por edhe problemet që lindin nga krizat shoqërore.

Takimi i Platformës Globale përfaqëson një etapë të rëndësishme për të konkretizuar tri Plane veprimi të vitit 2015: “Sendai Framework” për reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësitë 2015-2030; Agjenda 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm dhe Marrëveshja e Parisit për ndryshimet e klimës. Udhë, që paraqet tri sfida kryesore, sipas kardinalit Pietro Parolin: integrimin e veprimtarive për reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësitë me ato për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm, me ato për luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit shoqëror, si edhe me veprimtaritë për përshtatjen ndaj ndryshimeve të klimës e për zbutjen e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.