2017-05-24 13:03:00

Është kardinali Gualtiero Bassetti kryetari i ri i Konferencës ipeshkvnore italiane


Kardinali Gualtiero Bassetti është kryetar i ri i Konferencës ipeshkvnore italiane. Njoftimin për emërimin nga ana e Papës Françesku e dha kardinali Angelo Bagnasco, ish-kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane, në përfundim të Meshës, kryesuar prej tij, në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e Asamblesë së 70-të të përgjithshme të ipeshkvijve, që përfundon nesër. Kujtojmë se në punimet e asamblesë ishte i pranishëm edhe sekretari i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo. Prania e tij në këto punime na kujton se Konferenca ipeshkvnore italiane e ka ndihmuar dhe vijon ta ndihmojë shumë Kishën dhe popullin shqiptar.

Kardinali Gualtiero Bassetti, kryeipeshkëv i Perugia-Città della Pieve, lindi më 7 prill 1942, në Popolano, komuna e Maradit, Firence. Më 29 qershor 1966 u shugurua meshtar dhe nisi menjëherë shërbimin në seminaret e zonës, për formimin e meshtarëve të rinj.

Më 9 korrik 1994 Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Massa Maritima-Piombino. Ipeshkëv u shugurua më 8 shtator 1994. Më 6 korrik 2010 Papa Benedikti XVI e emëroi Kryeipeshkëv i Perugia-Città della Pieve e, në vitin 2010, mori palion, simbol i kryeipeshkvijve metroplitë, në Bazilikën e Vatikanit. Kreu edhe disa detyra të tjera të rëndësishme kishtare, ndërmjet të cilave, atë të zëvendës-kryetarit të Kii, që nga viti 2009, deri më 2014. Nga tetori 2012 është kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Umbrias, anëtar i Kongregatës për Ipeshkvijtë e për Klerin si dhe i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.