2017-05-24 13:54:00

Papët i luten Zojës së Sheshanit


“Në shtatoren, që lartohet mbi Shenjtërore, Maria e ngre lart të Birin, duke ia paraqitur botës me krahë hapur, në një gjest dashurie e mëshire. T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë, që të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre e të jetojnë shpirtërisht të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

Më 24 maj 2013 Papa Françesku i pati drejtuar këtë lutje Zojës së Sheshanit: 

“O Zoja jonë e Sheshanit,

 ndihmoi katolikët kinezë!

Bëji impenjimet tyre të vështira,

përherë e më të çmuara para syve të Zotit

e premto të rritet gjithnjë më shumë

dashuria e pjesëmarrja e Kishës në Kinë,

në udhën e Kishës universale”.

 Ndërsa më 24 maj 2008, Papa Benedikti XVI i drejtohej Zojës së Sheshanit me këtë lutje:

“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar

e Nëna jonë e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve”

në Shenjtëroren e Sheshanit,

nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë.

Po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.

Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dhembshuri amtare

në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë

tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.

Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret,

ti i lejove Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror

e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,

në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,

duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,

deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar

drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.

Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re,

Nënë e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,

që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpinë.

O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe

U nise me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,

jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë,

sado e errët që të jetë,

shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.

O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,

në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,

të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd,

ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.

Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,

duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.

Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.