2017-05-24 18:04:00

Manchester, identifikohen viktimat. Vendi në alarm maksimal


U identifikuan 22 viktimat e masakrës së Manchester-it. Lajmin e dha policia e qytetit anglez, e cila njoftoi edhe se 20 të plagosur konsiderohen akoma në gjendje kritike. Njihet tashmë edhe atentatori 22 vjeçar, Salman Abedi, i cili bënte pjesë në një rrjet terrorist islamik. Ndërkaq, policia ka arrestuar tre vetë, e bindur se Abedi nuk mund të ketë vepruar i vetëm. Ndër ta, i vëllai i terroristit, i cili duket se ka dhënë deklarata të rëndësishme për hetimet. Në të kaluarën, vetë familja e ka denoncuar kamikazen tek autoritetet, pasi dyshonte për rrezikshmërinë e tij. Duket se ai është stërvitur në Libi, gjatë udhëtimit të fundit e, ndoshta, ka kaluar edhe nëpër Siri.

Në gjithë Britaninë e Madhe, forcat e rendit janë në alarm maksimal, ndërsa në Manchester vijojnë kontrolle të befasishme në apartamente të dyshimta. Identiteti i atentatorit iu dha mediave nga amerikanët, të cilët, me kërkesën e britanikëve, deklaruan se nuk do të ketë më dalje të informacioneve të këtij lloji, tepër të rëndësishme për hetimet.

Në një këndvështrim më të përgjithshëm, shihet se bota ka ndryshuar e se nuk është më e sigurtë askund. Pyetëm pedagogun italian, Vittorio Emanuele Parsi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Zemrës së Krishtit, në Milano, nëse militarizimi i Evropës, siç po flitet, mund të jetë zgjidhje…

Militarizimi është pjesë e një strategjie të ndërlikuar. Është e qartë se duhet të rritet kontrolli me video, mbikqyrja elektronike, prania në territor, pra, në këtë kuptim, militarizimi ka rëndësinë e vet. Duhen zbatuar masa kundër radikalizimit, që është hapi para hyrjes në radhët e terrorizmit, por duhet të jemi të qartë: integrimi, mikpritja etj., këto gjëra kanë efikasitet gati zero kundër terrorizmit dhe parandalimit të tij. Integrimi shërben për të shmangur rritjen e numrit të rekrutëve të mundshëm, por ata, që kanë vendosur të radikalizohen janë tashmë të tillë, kanë kaluar nga ana e luftës së armatosur. Nuk është e vërtetë se ndryshojnë mendje, kur ne zbatojmë politika për integrimin më të madh. Integrimi shërben për të kufizuar rrethin e të mundshmëve, por nuk u bën asgjë efektivëve. Dhe, e dyta, duhet sqaruar se integrimi është vlerë, që duhet zbatuar, sepse një shoqëri gjithëpërfshirëse është më e mirë se një shoqëri, që nuk i integron njerëzit. Por të mos na shkojë nëpër mend se po të bëhemi të gjithë më të mirë, më tolerantë, e zgjidhëm problemin, sepse ata, që kemi përballë, kanë një ide politike, një konceptim, që s’ka të bëjë aspak me tonin. Ata mendojnë se përdorimi i dhunës kundër të pafajshmëve është i pranueshëm. Për këtë duhet të jemi të qartë. Vendet nga vijnë këta njerëz janë shpesh të qeverisura nga autokraci e madje, më shpesh, nga kleptokraci, pra, nga sisteme krejtësisht jo liberalë dhe të korruptuar, që i pengojnë ndryshimet në shoqëri, prandaj pengojnë integrimin e lirë aty, në ato shoqëri. Dhe e bëjnë mesazhin e dhunës të vetmen zgjidhje të mundshme, sipas disave, pra, edhe ideologjinë islamike radikale, të këndshme. Vetëm shndërrimi i këtyre regjimeve do t’u lejojë këtyre shoqërive të zhvillohen e ideologjive të vdekjes t’u kalojë koha. Kështu, nuk do të jenë më tërheqëse e interesante edhe për diasporën e për bijtë e diasporës. Prandaj, në ato vende duhen mbështetur ndryshimet nga brenda. Nuk duhet t’u themi qeveritarëve “ok, qeverisi të tutë si të duash vetë”, sepse vetëvendosja u përket popujve e jo tiranëve. E kjo nuk duhet harruar.








All the contents on this site are copyrighted ©.