2017-05-24 11:47:00

Françesku: terapia e shpresës nis duke dëgjuar


Bashkësia e krishterë nuk jeton në një kështjellë të fortifikuar, por ecën udhëve, dëgjon historitë e të gjithëve e pastaj ofron dëshminë e saj të dashurisë. Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar shpresës së krishterë, Françesku e përqendroi reflektimin tek takimi i dishepujve të Emmaus  me Jezusin, duke kujtuar se edhe në çastet më të këqija, Zoti ecën gjithnjë me ne e duke kërkuar paqe për trojet e Ukrainës.  

Sot dëshiroj të  ndalohem tek përvoja e dy dishepujve të Emmaus, për të cilët na flet Ungjilli i Lukës (krh 24,13-35) - kujtoi - Dy burra ecin krejtësisht të zhgënjyer, të bindur se po linin pas shpine një ngjarje të hidhur, të përfunduar keq. Para këtyre Pashkëve, qenë të pushtuar nga entuziazmi, të bindur se këto ditë do të ishin vendimtare për pritjet e tyre e për shpresën e mbarë popullit. Jezusi, të cilit ia kishin besuar jetën, dukej se, më në fund, do të niste betejën vendimtare: tani pritej ta shpallte pushtetin e vet, pas periudhës së gjatë të përgatitjes, kaluar në heshtje të plotë. Po nuk ndodhi kështu.

Dy shtegtarët ushqenin shpresa vetëm njerëzore, që u bënë copë e thërrime. E tani, të dy ikin nga Jeruzalemi. Në sy kanë ende pamjet e mundimeve e të vdekjes së Jezusit e, në shpirt, mërzinë e rëndë që u ngjallet  nga kujtimi i ngjarjeve të sapojetuara, gjatë pushimit të detyruar të së shtunës. Kjo festë Pashkësh, që do të duhej të intononte këngën e lirisë, u shndërrua në ditën më të dhimbshme të jetës.  E lënë Jeruzalemin, për të shkuar dikund tjetër, në ndonjë fshat të qetë. Me pamjen e njerëzve, që duan ta shlyejnë sa më parë nga mendja kujtimin përvëlues. Janë përudhë. E ecin. Kjo skenë - udha - kishte qenë gjithnjë e rëndësishme në rrëfimet ungjillore; e tani bëhet edhe më shumë, në çastin kur nis të tregohet historia e Kishës.

Takimi i Jezusit me këta dy dishepuj, duket sikur është krejtësisht i rastit: u ngjet shumë takimeve, që ndodhin vazhdimisht në jetë. Dy dishepujt ecin mendueshëm e edhe një i panjohur çapitet përkrah tyre. Është Jezusi, por sytë e tyre nuk janë në gjendje ta njohin. E atëhere Zoti nis “terapinë e tij të shpresës”.

Para së gjithash, pyet e dëgjon. Zoti ynë nuk është Zot, që ndërhyn në punët e të tjerëve. Edhe pse e di shkakun e zhgënjimit të tyre, u lë kohë ta  zbrazin me fund hidhërimin, që ua ka pushtuar shpirtin. E atëherë nis rrëfimi, që është refren i vetë jetës njerëzore: “Ne shpresonim…” (v21).  Sa trishtime e sa dështime ka në jetën e çdo njeriu! Në fund të fundit të gjithë jemi pak a shumë si këta dy dishepujt. Sa herë  shpresuam në jetë, sa herë u ndjemë vetëm një hap larg lumturisë, e pastaj e pamë veten përdhe, shpresëhumbur. Po Jezusi ecën përkrah gjithë njerëzve të pashpresë, që vijojnë udhën kokulur. E duke ecur pranë tyre, gati pa u ndjerë, ua rikthen shpresën.

Jezusi flet kryesisht përmes Shkrimeve Shenjte. Kush e merr në dorë Librin e Zotit, nuk gjen aty histori heroizmi të lehtë, nuk shikon fushata të rrufeshme, që përfundojnë me fitore të bujshme. Shpresa e vërtetë nuk  gjindet kurrë me çmim të ulët: kalon gjithnjë përmes disfatave. Shpresa e njeriut që nuk vuan, ndoshta nuk është shpresë. Zoti nuk dëshiron ta duam, si duhet një komandant, që i prin popullit të vet drejt fitores, duke i mbytur në gjak kundërshtarët. Zoti ynë është fill drite, që ndriçon në ditë të ftohta, me erë, e sado që prania e tij në këtë botë duket krejt e brishtë, ai zgjodhi vendin, të cilin të gjithë e  përbuzim.

Pastaj Jezusi përsërit për të dy dishepujt, gjestin-bazë të çdo Eukaristie: merr bukën, e bekon, e thyen e ua jep. A nuk shikojmë në këtë seri gjestesh gjithë historinë e Jezusit? E a nuk është në çdo Eukaristi edhe shenja, që tregon ç’duhet të jetë Kisha? Jezusi na merr, na bekon, “e thyen jetën tonë” - sepse nuk ka dashuri, pa flijim - e ua jep të tjerëve, të gjithëve.

Takim i shpejtë, ky i Jezusit me dy dishepujt e Emmaus. Por në të shikojmë gjithë fatin e Kishës. Na tregon se bashkësia e krishterë  nuk është e mbyllur në një kështjellë të fortifikuar, por ecën në mjedisin e saj më jetik, domethënë, në udhë. E aty i takon njerëzit, me shpresat e zhgënjimet e tyre, nganjëherë edhe tejet të rënda. Kisha i dëgjon historitë e të gjithëve, ashtu si dalin nga peshtafi i ndërgjegjes së secilit, për t’u ofruar, pastaj, Fjalën e jetës, dëshminë e dashurisë së Zotit, dashuri besnike deri në fund të fundit. E atëherë në zemrat e njerëzve ndizet përsëri shpresa.

Këtu qëndron edhe sekreti i udhës, që çon në Emmaus: edhe kur ne na duket e kundërta, Zoti vijon të na dojë me një dashuri, që nuk mbaron kurrë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.