Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

24 maj, Dita e lutjes për Kishën në Kinë

Besimtarët kinezë në Sheshin e Shën Pjetrit - ANSA

24/05/2017 14:41

U kremtua sot Dita e lutjes për Kishën në Kinë. Papa Françesku e kujtoi gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke përmendur Zojën e Sheshanit, Pajtoren e Kinës, dhe duke përshëndetur shtegtarët nga Hong Kongu.

         Dita kremtohet që prej 10 vjetësh, me nismën e Papës Benedikti XVI, i cili e themeloi përmes Letrës drejtuar katolikëve kinezë, në vitin 2007. Të dielën, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku u tha besimtarëve kinezë: “T’i lartojmë sytë drejt Marisë, Nënës sonë, që të na ndihmojë ta kuptojmë vullnetin e Zotit për udhën konkrete të Kishës në Kinë” e, më pas: “Maria na inkurajon të japim kontributin tonë personal për bashkimin ndërmjet besimtarëve dhe për harmoninë e gjithë shoqërisë”. Të dëgjojmë misionarin e Institutit Papnor për Misionet e Jashtme (PIME), atë Angelo Lazzarotto, sinolog, pra, ekspert i kulturës kineze:

         “Dhjetë vjet më parë, Papa Benedikti shkroi Letrën e njohur për katolikët në Kinë e pastaj, një vit më vonë, shkroi edhe një lutje, që përfundonte, pak a shumë, kështu: ‘O Zoja jonë e Sheshanit, ndihmoji të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan’. E Papa Françesku, të dielën e kaluar, u kujtoi pikërisht këtë impenjim: të japin kontributin personal për bashkimin ndërmjet besimtarëve e për harmoninë e gjithë shoqërisë. Kjo fjalë e Papës Françesku për harmoninë e krejt shoqërisë kineze është shumë e rëndësishme, sepse e dimë sa i vështirë është dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës. Ja, unë mendoj se - siç thonë si Papa Benedikti, ashtu edhe Papa Françesku - duhet që e gjithë Kisha të bashkohet me katolikët kinezë në këtë lutje, për t’i kërkuar Zojës ndihmë që besimtarët kinezë ta jetojnë plotësisht fenë e tyre, por edhe që të kontribuojnë, me dëshminë e jetës, në zhvillimin e një shoqërie të harmonishme në Kinë, ku ekziston rreziku i shumë kundërshtive e kundërvënieve”.

         Gjithnjë në Mbretëreshën Qiellore, Papa Françesku i këshilloi katolikët kinezë të mos harrojnë ta dëshmojnë fenë me lutje e me dashuri, duke qenë gjithnjë të gatshëm për dialog. Por si jetojnë besimtarët e si rritet Kisha në Kinë? Sërish, atë Lazzarotto:

         “Kisha është e gjallë në Kinë. Pavarësisht nga shumë kufizime, katolikët janë të pranishëm në numër të konsiderueshëm. Është vështirë të kesh statistika të sakta, të azhornuara. Por, është fakt se në Kinë, sot, katolikët mund të shkojnë në kishë. Për Pashkë, për shembull, ka pasur mijëra pagëzime të reja në kishat e famullitë e Kinës. Pra, është një realitet me shumë fytyra, me shumë aspekte kontradiktore, sepse ka shumë korrupsion, që rrezikon të prekë edhe jetën e Kishës. Por ka edhe shpresë që Papa Françesku së bashku me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Parolin, ta bindin qeverinë kineze se nuk duhet të ketë frikë nga Kisha, pasi Kisha nuk ka asnjë plan kundër shoqërisë, që jeton në Kinë. Dëshiron vetëm një hapësirë lirie, që u lejon të krishterëve të jenë të tillë, si në gjithë botën”.

24/05/2017 14:41