2017-05-23 00:00:00

Më 28 maj 2017, shtegtim në Gjenacan, tek Nëna e Këshillit të Mirë


Të diel, më 28 maj 2017, Zoja e Këshillit të Mirë i pret përsëri bijtë e vet shqiptarë në Gjenacan. I fton të mblidhen rreth saj nga të katër anët e Italisë e të botës, për të përsëritur një devocion, që lidhet me ikjen e figures së Zojës nga Shkodra - 550 vjet më parë, jubile që sapo u kremtua - në Gjencan e me rikthimin e saj në Shkodër, në duart e një Shenjti, Papës Gjon Pali II, më 23 prill 1993. 

E jo më pak, me rrënimin e rindërtimin e Kishës rrëzë Kështjellës Rozafa, vizituar nga qindra shtegtarë gjatë majit të Zojës e gjatë gjithë vitit. Sivjet në mënyrë krejt të veçantë, qindra besimtarë e ndoqën Meshën në oborr, sepse Kisha e vogël legjendare rrëzë Kështjellës, nuk mundi t’i zinte më besimtarët e përnatshëm.

Çdo vit Zoja e Këshillit të Mirë sjell diçka të re, personale e kombëtare, për shqiptarët. Çdo vit në altar ngjitet një ipeshkëv a një meshtar i ri, për ta kremtuar festën e Zojës në mes të bashkatdhetarëve të përmalluar, nga Mesha e kremtuar në gjuhën shqipe, rrethuar nga gjuha e huaj, e nga bisedat me njëri tjetrin, po në këtë gjuhë, që shtegtarët e përdorin rrallë, por nuk e harrojnë kurrë, sepse gjuha e djepit dhe e shpirtit. Çdo vit Meshën e kryeson një ipeshkëv a një meshtar i ri.

Ndërsa sivjet, më 28 maj, në orën 11,00, do të ngjitet në altar një kardinal: kardinali i dytë shqiptar, që na e dhuroi Papa Françesku, për të nderuar kujtimin e martirëve tanë, Hirësia e tij Ernest Simoni, në bashkëkremtim me ipeshkvijtë. Rrethuar nga bashkatdhetarët, e ardhur me këtë rast nga anë e anës, si çdo vit! Ju rikujtojmë: Zoja ju pret të diel, më 28 maj, në orën 11.00, në atë vend, që e mikpriti qindra vjet më parë e që ju mikpret edhe ju të gjithë, qindra vjet më pas.








All the contents on this site are copyrighted ©.