2017-05-23 19:02:00

Antonio Spadaro: Trump e Françesku, takim jo hollywoodian


Vizita e Presidentit të SHBA-ve tek Papa është domethënëse për rolin që luan ky komb i madh në fushën ndërkombëtare. Ishte vizita e Obamës, e është edhe kjo e Trump. Ndjenja mbizotëruese në disa ambiente, është ajo e interesit, që nganjëherë shoqërohet me atë të kuriozitetit, për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve, që shpesh është parë thjesht si inkurajim.

Por Papa nuk është ideologjik e nuk mendon bardh e zi. Është edhe shumë realist: e di se situata globale në këtë çast është në krizë serioze. E shpesh në rrezik janë më të ligshtit. Thellohen nacionalizmat, shtohet varfëria, ngrihen “mure”. Françesku, Papa i urave, prandaj, dëshiron të flasë me zemër të hapur me çdo kryetar shteti, që i kërkon takim, ngaqë e di se në krizë nuk ka krejtësisht “të mirë” e krejtësisht  të “këqij”. Historia e botës nuk është film hollywoodian. Nuk vijnë kurrë tanët, për të na shpëtuar nga “ata”, kundërshtarët. Papa e di mirë se gjithnjë e kudo janë në valle lojra interesash. Prej këndej, nuk hyn në rrjete aleancash të parapërgatitura e shpesh gjen partners pikërisht tek ata, që përfaqësojnë fraktura, në krahasim me mendimin unik. Papa nuk i jep të drejtë as nuk fajëson a priori, por duke i takuar lojtarët kryesorë në fushë, për të arsyetuar së bashku e për t’u propozuar të gjithëve të mirën më të madhe, duke ushtruar soft power (forcën e butë), që më duket tipari specifik i politikës ndërkombëtare të Bergoglios.

Papa e thotë përherë: dëshiron të dëgjojë, të takojë. Porta të hapura mund të gjinden gjithnjë e Papa synon të niset nga dialogu, nga ajo që ka të përbashkët me biseduesin. Është sjellje, që bën pjesë edhe në traditën e jezuitëve: parim, të cilin ne e quajmë praesupponendum (Ushtrimet shpirtërore, 22). E ky qëndrim, që do të thotë se i krishteri i mirë duhet të përpiqet më shumë ta mbrojë, sesa ta dënojë pohimin e tjetrit, është edhe çels i mendimit dhe i sjelljes bergoliane.

Natyrisht argumenti që Papa Bergoglio e ka më për zemër, është ai i krizave të rënda humanitare, të cilat kërkojnë përgjigje politike largapamëse. E Papa është i vetëdijshëm për vlerat shpirtërore dhe etike, që plazmuan historinë e popullit amerikan. Kjo u kuptua shumë mirë gjatë shtegtimit të tij në SHBA. Prej këndej mund të përfytyrojmë se Papa do të flasë me sinqeritet për rëndësinë e këtyre vlerave të popullit amerikan e, në mënyrë të veçantë, për shqetësimin ndaj të varfërve e nevojtarëve. Kujtojmë se e bëri këtë edhe në telegramin e urimeve për fillimin e detyrës së Presidentit. Por takimi ballë për ballë do të ketë vlerë tjetër, më të thellë e edhe më të sinqertë.

Shumëkush pyet për stilin e  takimit. Vështirë të thuhet. Gjithçka varet nga vetë takimi. Nuk mund të themi që më parë nëse do të jetë i tendosur apo i shtendosur. Do të jetë, sigurisht, takim i sinqertë, në të cilin Papa do të thotë atë që mendon e do të jetë i gatshëm të dëgjojë atë, që Presidenti Trump do t’i  komunikojë.

E, në këtë kuptim, do të jetë “takim pa mure”.








All the contents on this site are copyrighted ©.