2017-05-22 12:32:00

Papa Françesku: Shpirti Shenjt nuk mund të hyjë në një zemër të mbyllur


Vetëm Shpirti Shenjt Bergoglio na mëson të themi: “Jezusi është Zot”. Këtë pohoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku nënvizoi se duhet ta hapim zemrën, për të dëgjuar Shpirtin Shenjt, që të mundim, kështu, ta dëshmojmë Jezu Krishtin: “Mos u shqetësoni, nuk do t’ju lë jetimë”, do t’ju dërgoj një avokat, Shpirtin Shenjt, që t’ju mbrojë para Atit. Françesku e shtjelloi homelinë  duke u mbështetur tek fjalët, që u tha Jezusi dishepujve në Darkën e Mbrame. Posaçërisht, Papa vuri theksin mbi Paraklitin, Shpirtin ngushëllues, Shpirtin Shenjt i cili - vërejti - na shoqëron e na jep sigurinë se Krishti do të na shpëtojë.

Shpirti Shenjt, dhuratë e Jezusit, është shok udhe i Kishës

Vetëm Shpirti Shenjt - vijoi Papa - na mëson të themi “Jezusi është Zot”: “Pa Shpirtin Shenjt, asnjëri nga ne nuk është i aftë ta thotë, ta dëgjojë, ta jetojë. Jezusi, duke u folur gjatë Apostujve në Darkën e Mbrame, u tha për të: ‘Ai do t’ju prijë drejt së vërtetës së plotë. Ai do t’ju ndihmojë t’i kujtoni të gjitha fjalët, që ju kam thënë; do t’ju mësojë gjithçka. Prej këndej, Shpirti Shenjt është shok udhe i çdo të krishteri, edhe shok udhe i Kishës, E kjo është dhurata, që na e jep vetë Jezusi’”.

T’ia hapim zemrën Shpirti Shenjt, përndryshe nuk mund të hyjë

Shpirti Shenjt - tha Papa - është dhuratë: dhurata e madhe e Jezusit. Është Ai, që nuk na lë të gabojmë. Po ku banon Shpirti Shenjt? - pyeti Papa. - Në Leximin e parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, takojmë figurën e Lidies, tregtare purpuri, një grua që dinte ç’bënte, të cilës Jezusi ia hapi zemrën për të pranuar Fjalën  e Zotit: “Zoti ia hapi zemrën, që aty të hynte Shpirti Shenjt e ajo të bëhej dishepulle. Është pikërisht zemra, vendi ku ne e mbajmë Shpirtin Shenjt. Kisha e quan ‘mik i ëmbël i zemrave’: është në zemër. Por në një zemër të mbyllur nuk mund të hyjë. Ah! Ku mund të blihen çelësat, për të hapur zemrat? Për të hyrë në zemra? Jo, nuk mund të blihen gjëkundi: është dhuratë edhe kjo. Dhuratë e Zotit: ‘Hapma zemrën, o Zot, që të hyjë në të Shpirti Shenjt e më ndihmo të kuptoj se Jezusi është Zot!’”.

Kjo - pohoi Papa - është lutje - që duhet ta kujtojmë këto ditë: “Zot, hapma zemrën, që unë të mund të kuptoj çka mësove Ti. Që të mund t’i kujtoj fjalët tua. T’i ndjek fjalët tua. Për të arritur, kështu, tek e vërteta e plotë”.

Ta pyesim veten nëse zemra jonë është vërtet e hapur për Shpirtin Shenjt

 Zemër të hapur, pra, që Shpirti të hyjë e ne të mund ta dëgjojmë Shpirtin. Unë - vijoi Papa - po bëj dy pyetje, marrë nga këto dy lexime: “E para: a i kërkoj Zotit hirin që zemra ime të jetë e hapur? E dyta: a përpiqem ta dëgjoj Shpirtin Shenjt, t’i ndjek këshillat e tij, fjalët, që ia thotë zemrës sime, që unë të ec përpara në jetën e krishterë e të mund  të dëshmoj edhe unë se Jezusi është Zot? Mendoni për këto dy gjëra, sot: zemra ime është e hapur e unë përpiqem ta dëgjoj Shpirtin Shenjt, t’ia vë veshin fjalës, që më thotë. E kështu shkojmë përpara në jetën e krishterë  dhe japim dëshmi për Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.