2017-05-22 19:28:00

Papa në asamblenë e CEI: falenderoj kard. Bagnasco, shumë i duruar me mua


Papa Françesku hapi sot pasdite, në Sallën e Sinodit në Vatikan, asamblenë e 70-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, që do të përcaktojë treshen e kandidatëve për të zëvendësuar kryetarin aktual, kardinalin Angelo Bagnasco, i cili është në përfundim të detyrës. U duk që në fillim se Ati i Shenjtë deshi të fliste pa doreza, haptasi me ipeshkvijtë, para një asambleje që do të flasë edhe për të rinjtë, punën, ungjillëzimin. Ja fjalët e tij për kardinalin Bagnasco:

         “Dua ta falenderoj për këto dhjetë vjet shërbimi në presidencë e, edhe për durimin që ka pasur me mua, sepse nuk është e lehtë të punohet me këtë Papë. Ai ka pasur shumë durim e për këtë e falenderoj shumë”.

         Nesër, asambleja do të zgjedhë tre kandidatët, emrat e të cilëve do t’i dorëzohen Papës Françesku, që ka fjalën e fundit. Ati i Shenjtë kujtoi marrëdhëniet me kardinalin Bagnasco dhe vizitën e tij të së shtunës së ardhshme, në Gjenovë:

         “Mund të them se duhemi fort, është miqësi e bukur. Vetëm një frikë kam: sa do të më bëjë të paguaj të shtunën, kur të hyj në Gjenovë” (të qeshura të asamblesë). “Përgatitu, përgatitu” ia ktheu kardinali Bagnasco. E Papa: “Po gjenovezët nuk bëjnë gjë…”. “Asnjë zbritje në çmim”, saktësoi me shaka Bagnasco.

         Para se ipeshkvijtë të konfrontoheshin privatisht, pa gazetarët, Ati i Shenjtë theksoi:

         “Kur ai që drejton nuk lejon dialogun, mbjell thashetheme e kjo është më keq. Të dialogojmë ndërmjet nesh, jam gati të dëgjoj opinione, që nuk më pëlqejnë, lirisht”.

         Kardinali Bagnasco kujtoi temën e kësaj asambleje, “Të rinjtë, për një takim feje”, përqendruar kryesisht në formimin e brezit të ri:

         “Kushtet e tyre të jetës, aftësia e tyre për të qëndruar së bashku dhe dëshira për të ndërtuar të nesërmen, i bëjnë thirrje përgjegjësisë sonë si edukatorë dhe dëshmitarë; takimi me ta na ndihmon të rizbulojmë çdo ditë primatin e Zotit në jetën tonë për të menduar e vepruar me atë liri, që lind nga e vërteta”.

Ndër argumentet e tjera të asamblesë, përgatitja e Javës së ardhshme Shoqërore, që do të zhvillohet në Cagliari të Sardenjës, nga 26 deri më 29 tetor 2017; normat për regjimin administrativ të gjykatave kishtare në Itali dhe një sërë çështjesh me karakter juridiko-administrativ. Të mërkurën, në orën 8.30, ipeshkvijtë italianë do të kremtojnë Eukaristinë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Të enjten, më 25 maj, në orën 13.30, do të mbahet konferenca e shtypit për rezultatet e asamblesë, në hollin e Sallës Pali VI, në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.