2017-05-21 18:30:00

Vizita e Papës në famullinë romake të Shën Pier Damianit


Sot pasdite, në orën 15.45, Papa Françesku shkoi për vizitë në famullinë romake të Shën Pier Damianit në Monti di San Paolo. Po në këtë kishë, ka qenë edhe Shën Gjon Pali II, më 13 mars 1988. Titullar i saj është kardinali-vikar i Romës, Agostino Vallini, i cili e priti dhe e shoqëroi Atin e Shenjtë.

         Papa Françesku mbërriti në Qendrën Sportive të Casal Bernocchi, ku u takua me fëmijët e katekizmit dhe me të rinjtë, që frekuentojnë qendrën. Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve të dy fëmijëve. Pastaj, shkoi në kishë, ku, fillimisht, u takua me të sëmurët, me bashkësitë neokatekumenale dhe me të varfërit e ndihmuar nga Karitasi, Pastaj, siç bën shpesh, u ul në rrëfyestore, për të dëgjuar rrëfimet e katër besimtarëve. E së fundi, kremtimi i meshës në kishë, për t’u kthyer me makinë në Vatikan.

         Famullia ofron një shërbim Karitasi, që realizohet nga rreth 15 vullnetarë. Dy herë në muaj, 50 familje marrin ndihmë ushqimore. Prej një viti, është hapur edhe një mensë, e cila dy të shtuna në muaj, u ofron drekën të varfërve, që vijnë edhe nga lagjet fqinjë. Oratori i famullisë frekuentohet nga shumë fëmijë, të cilët qëndrojnë aty pas meshës së të dielës, që u kushtohet krejtësisht atyre. Gjatë verës, në përfundim të vitit shkollor, qëndron i hapur çdo ditë. Kjo zonë e Romës, relativisht e re, është lagje, ku njerëzit shkojnë herët në punë e kthehen vonë në darkë. Mungojnë akoma shërbimet themelore, ka pak dyqane e gati aspak vende për t’u mbledhur së bashku. Jo të gjithë marrin pjesë aktive në jetën e famullisë, por japin kontributin e tyre kur është nevoja.








All the contents on this site are copyrighted ©.