2017-05-21 20:16:00

Papa në Casal Bernocchi: të mos e largojmë nga ne Shpirtin Shenjt


Të krishterët, që e ruajnë Shpirtin Shenjt, i cili iu dhurua, e që udhëhiqen prej Tij, flasin me një gjuhë të veçantë: me gjuhën e ëmbëlsisë e të respektit. E kjo mund të na ndihmojë të mendojmë për sjelljen tonë, si të krishterë. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku besimtarëve të famullisë së Shën Pier Damianit, në rrethinat e Romës, gjatë homelisë së Meshës, që e  kremtoi për ta, sot pasdite:

"Gjë shumë e keqe t’i shikosh ca njerëz, që mbahen si të krishterë, por janë plot me fjalë të hidhura" - nënvizoi Papa gjatë homelisë,  mbajtur lirisht. - Gjuha e Shpirtit Shenjt është e ëmbël  - kujtoi – e, prej këndej, Kisha e quan “Miku i ëmbël i zemrës”, sepse është plot me ëmbëlsi e respekt për të gjithë. Na mëson, kështu, të respektojmë gjithkënd. Sipas Françeskut, djalli, që e di sesi mund të na ligështojë në shërbimin ndaj Zotit, bën çmos që në gjuhën tonë të mos ketë ëmbëlsi, të mos ketë respekt. Edhe në gjirin e kësaj bashkësie të krishterë, Papa përsëriti atë, që kishte thënë sot, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Sa njerëz i afrohen ndonjë famullie, për shembull, duke kërkuar paqe, respekt, ëmbëlsi. E në vend të tyre, takohen me luftëra të brendshme ndërmjet vëllezërve. Në vend të ëmbëlsisë dhe të respektit, takojnë thashetheme e përgojime, konkurencë e ndeshje njëri kundër tjetrit. Nuk thithin në ajër aromën e temjanit, por të marrjes nëpër gojë kot”.

E  ç’thonë, pastaj? Nëse këta njerëz janë të krishterë, me sa duhet u pëlqen më shumë të mbeten paganë. E ikin e shkojnë, të zhgënjyer. Sepse këta nuk dinë ta ruajnë Shpirtin Shenjt, e me këtë gjuhë të përdorur për t’u dukur, me këtë ambicje, me këtë zili, ne s’bëjmë tjetër, veçse i largojmë njerëzit. Jemi ne, që i largojmë e nuk e lëmë Shpirtin Shenjt t’i tërheqë njerëzit, t’i bëjë të rrijnë mes nesh. Mua - vijoi Papa - më pëlqen të ngulmoj mbi këtë argument, sepse, po e them qartë, ky është mëkati që e ndeshim më shpesh në bashkësitë e krishtera:

“Kur kemova Zojën – vijoi - ula sytë e pashë gjarprin, me gojë hapur e me gjuhë përjashta, e  Marinë duke ia shtypur kokën. Ju bën mirë ta shikoni  si është bashkësia, që nuk e ruan Shpirtin Shenjt me ëmbëlsi e respekt: është si ky gjarpër me gjuhën përjashta”.

Një famullitar – tregoi më pas, duke shkaktuar të qeshura - një herë më thoshte, duke folur mbi këtë argument: "Në famullinë time ka disa njerëz, që mund ta marrin kungimin nga porta, sepse gjuha e tyre arrin deri në altar". Ndonjeri nga ju mund të më thotë: “Po, o Atë, ju kujtoni gjithnjë të njëjtin argument!”. Po, është e vërtetë, e kujtoj, sepse kjo shkatërron! Me gjërat që na i mëson gjarpri. Më falni nëse rikthehem gjithnjë mbi këtë argument, por besoj se ky është armiku, që na i shkatërron bashkësitë tona: përgojimi:

“Ndoshta do t’ju bëjë mirë - përfundoi Papa - që kur të shkoni ta përshëndesni Zojën, ta shikoni edhe gjuhën e gjarprit. Mua më dhemb zemra nga kjo, më duket sikur e gjuajmë njëri-tjetrin me gurë. E djalli dëfrehet. Për të është si festë karnavalesh, kjo që bëjmë ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.