2017-05-21 18:54:00

Papa: duke respektuar atë, që nuk na do, kështu shpëtohet bota!


Plot me gjallëri, pyetje-përgjigjet e Papës, në  takimin me fëmijët e famullisë e Shën Pier Damianit, në Casal Bernocchi. “Me lutje, duke i respektuar njerëzit, edhe ata, që nuk na duan, madje edhe duke luajtur - pohoi Françesku në takimin me fëmijët - një vajzë a një djalë mund ta ndihmojë Jezusin për ta shpëtuar botën. Këto - fjalët e Papës, gjatë shkëmbimit të pyetje-përgjigjeve me fëmijët e famullisë periferike, ku ishte sot pasdite për vizitë e ku, një nga takimet e para, ishte ai me fëmijët, në qendrën sportive të Casal Bernocchi.

“A mund ta ndihmojmë Jezusin ta shpëtojë botën me lutje, apo nuk mundemi? Po ç’po ndodh me ju? Jeni duke dremitur? Apo është dielli? Edhe me lutje - vijoi Papa, duke i dhënë përgjigje pyetjes - mund ta ndihmojmë Jezusin për ta shpëtuar botën.

A duhen respektuar njerëzit? Nëna e babai, gjyshja e gjyshi? Duhen respektuar? Po njerëzit, që nuk i njoh e që banojnë në lagjen time, duhen respektuar? E ata, që banojnë në rrugë të madhe, duhen respektuar, edhe ata? Po, të gjithë duhen respektuar - ishte përgjigjja e Papës - pasuar nga ftesa: “Ta themi së bashku” - e nga përgjigjja e korit të fëmijëve. – Jeni të sigurt? – vijoi t’i pyesë Papa – apo ndoshta do të ishte më mirë t’u jepnim ndonjë shuplakë. Jo? Vërtet! Duhet respektuar edhe ai, që nuk më do. Edhe ai, që një herë më bëri keq! Ç’duhet të bëj, kur tjetri më bën keq? Duhet t’i bëj keq edhe unë? Jo! Kjo nuk është gjë e bukur. A mund t’i telefonoj mafies, duke i kërkuar të bëjë diçka? Jo. Kjo nuk është gjë e bukur! A mund të lidhet besë me mafien? Edhe ata, që më bënë keq, duhen respektuar. U përgjigjët mirë! A e shikoni me sa gjëra mund ta ndihmojmë Jezusin ta shpëtojë botën? Po nëse i kam bërë të gjitha detyrat e shtëpisë e nëna më lejon të dal e të luaj, është gjë e bukur? – i pyeti akoma Françesku fëmijët. Po, sepse unë gëzohem, e gëzimi e ndihmon Jezusin për ta shpëtuar botën. Ta themi së bashku: gëzimi është shumë i bukur! Ju sot jeni të gëzuar? Besoj se me këtë ju dhashë përgjigje për pyetjen: “Çfarë mund të bëjmë që ta ndihmojmë Jezusin për ta shpëtuar botën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.