2017-05-21 11:27:00

Françesku viziton famullinë e Shën Pier Damianit në Casal Bernocchi


Papa Françesku do të shkojë, sot pasdite, për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Pier Damianit, në Casal Bernocchi, rrethinat jugore të Kryeqytetit.

Në Qendrën Sportive të Casal Bernocchi, Papa do të takohet me fëmijët e katekizmit dhe me të rinjtë, që frekuentojnë qendrën. Do t’u përgjigjet pyetjeve të dy fëmijëve e pastaj do të shkojë në kishë, ku takimi i parë do të jetë ai me të sëmurët, me bashkësitë neokatekumenale dhe me të varfërit, që ndihmohen nga Karitasi, Pastaj, sipas traditës, do të rrëfejë katër besimtarë. E, pika kulmore e takimit, si në çdo takim papnor të kësaj natyre, kremtimi i Meshës. Do të jetë vizita e 15-të  e Papës në një nga famullitë e dioqezës së tij, ku do ta presë kardinali mëkëmbës Agostino Vallini, titullar i San Pier Damianit. Për vizitën e Françeskut në këtë famulli, të dëgjojmë famullitarin, dom Lucio Coppa:

Përgjigje: - Është famulli periferie. Ndodhet në një lagje, që njihet me emrin “bujtina”; këtu nuk ka shumë shërbime për njerëzit, ka ndonjë bar, ndonjë restorant, por nuk shikon banka, shërbime postare e të tjera, kështuqë banorët duhet të dalin nga lagjja për t’i kryer disa punë të  përditshme. Shumë punojnë gjithë ditën. Dalin nga shtëpia për terr e kthehen për terr, natyrisht të lodhur e të këputur. Lagjja numëron 14 mijë banorë, por famullia ndiqet pak. Të dielave, ndoshta, mblidhen rreth  dyqind vetë. Famullia kryen të gjitha veprimtaritë normale, si çdo famulli tjetër. Të vetmet qendra të lagjes, ku mund të mblidhen njerëzit, janë famullia jonë,  sheshi sportiv  dhe qendra e  komunes për të moshuarit.

Pyetje: - Domethënë famullia luan edhe rol shoqëror?

Përgjigje: - Po, së bashku me famullitë e tjera, luan  rol shoqëror…

Pyetje: - Cilat janë vështirësitë më të mëdha të kësaj lagjeje ?

Përgjigje: - Vështirësia më e madhe - siç thotë Papa - është të jesh në dalje, të shkosh e t’i kërkosh njerëzit. E ka disa besimtarë të famullisë që shkojnë t’i vizitojnë familjet; është edhe Karitasi i famullisë, që i ndihmon njerëzit në vështirësi. Nuk është lagje e varfër, por nuk i mungojnë as  vështirësitë. Ka shumë pleq të vetmuar, që nuk dalin fare nga shtëpitë e tyre, e ka të rinj, që  hyjnë pak e aspak në shtëpi, sepse gjithë kohën e kalojnë jashtë, duke punuar ku e si munden.  








All the contents on this site are copyrighted ©.