2017-05-20 00:00:00

Shën Nikolli: sot reliket e Shenjtit arritën nga Bari, në Moskë


Duke nisur që sot e deri më 28 korrik, për herë të parë, pas 930 vjetësh, një nga reliket e Shën Nikollës nisi shtegtimin e gjatë, nga qyteti i Barit, për të qëndruar disa ditë në Rusi, së pari, në Moskë, e pastaj, në Shën Pjetërburg.

Për ta kremtuar solemnisht këtë ngjarje historike, metropoliti Hilarion Alfeejev, kryetar i Departamentit të marrëdhënieve me jashtë të Patriarkanës së Moskës, kryesoi sot, Liturgjinë Hyjnore, në orën 08.00, në kriptën  e Bazilikës bareze të Shenjtit.

Në përfundim të kremtimit, kryesuar nga eprori i Bazilikës, atë Ciro Capotosto, relikja e Shën Nikollit iu dorëzua metropolitit Hilarion, pas nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi nga imzot Francesco Cacucci, kryeipeshkëv i Bari-Bitontos, delegat papnor i bazilikës së Shën Nikollit, dhe metropolitit rus.

Më pas, relikuari, realizuar nga Federata Ruse, u mbart drejt aeroportit me “ShënNikollamobil”, auto e caktuar enkas për këtë shtegtim, shoqëruar nga forcat e rendit.  Relikja u nis për në Moskë në orën 11.30, shoqëruar nga një delegacion italian.

Në orën 16.00 u prit nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, për t’u zhvendosur, më pas, në Bazilikën moskovite të Shën Shëlbuesit, ku, në orën 18.00, u kremtua një liturgji, kryesuar nga vetë Patriku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.