2017-05-20 13:58:00

Papa Françesku: papunësia, problem dramatik në botë


Papa Françesku priti sot paradite në audiencë pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus-Pro Pontefice. Së pari, Ati i Shenjtë Françesku vlerësoi përpjekjet e Fondacionit për kërkimin e “mënyrave alternative të ekonomisë, zhvillimit e tregtisë, për t’iu përgjigjur kështu sfidave etike që imponohen nga paradigmat dhe format e pushtetit që vijnë nga teknologjia, nga kultura e shkapërderdhjes, nga kultura e shpenzimit të kotë dhe nga stili i jetës që injoron të varfrit e përbuzë të dobëtit (krh Enc. Laudato sì, 16)”.

“Shumë njerëz – pohoi Papa – impenjohen për të bashkuar familjen njerëzore në kërkimin e përbashkët të një zhvillimi të mundshëm e të tërsishëm, pasi që e dimë se gjërat mund të ndryshojnë (krh Enc. Laudato sì, 16)”. Fondacioni juaj ofron një kontribut të çmueshëm pikërisht në shqyrtimin, në analizimin e aktiviteteve komerciale e financiare në dritën e traditës së pasur të doktrinës shoqërore të Kishës dhe për një kërkim inteligjent të alternativave pozitive. Mbi bazën e kompetencës suaj, e në bashkëpunim me shumë persona tjerë vullnet mirë, ju jeni angazhuar për zhvillimin e modeleve të që kanë si qëllim zhvillimin e rritjen ekonomike që përqendrohet mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e krijimtarinë, që janë tiparet e veçanta të personit njerëzor”.

Sivjet deklarata e Fondacionit – vijoi Papa Françesku – “me të drejtë vëren se lufta kundër varfërisë kërkon njohjen e thellë, mirëkuptimin e drejtë të vetë varfërisë si fenomen njerëzor e jo thjesht si çështje ekonomike. Promovimi i zhvillimit të tërësishëm njerëzor kërkon dialogun dhe përfilljen e nevojave e aspiratave që kanë njerëzit, kërkon dëgjimin e të varfërve, njohjen e eksperiencës së tyre të përditshme me privime të shumta, kërkon shpikjen, gjetjen e përgjigjeve të veçanta ndaj situatave konkrete që kanë njerëzit. Për këtë, sipas Papës, duhen krijuar modalitete e modele ekonomike, struktura ndërmjetësuese, procese ku të varfrit të jenë protagonistë por edhe përfituesit kryesor. Për Papën, aktivitetet ekonomike duhet të ketë në qendër të vëmendjes njeriun, të zhvillohen në mënyrë që të favorizojë përfshirjen sociale dhe rritjen e kulturës së solidaritetit efikas”.








All the contents on this site are copyrighted ©.