2017-05-20 09:00:00

Egjipt: UNESCO do të mbrojë “Udhën e Familjes Shenjte”


UNESCO po përgatitet ta njohë si “pasuri botërore” të njerëzimit “Udhën e Familjes Shenjte”. Është fjala për itinerarin, që bashkon vendet e përshkuara nga Maria, Jozefi e Jezusi, kur gjetën strehë në Egjipt, për t’i shpëtuar dhunës së Herodit. Lajmin e dha për mediat, drejtori i përgjithshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare të Autoritetit për zhvillimin e turizmit egjiptian, Adel al Gindy.

Politika egjiptiane për turizmin synon prej kohësh t’ua propozojë agjencive të specializuara “Udhën e Familjes Shenjte” si itinerar për shtegtimin e të krishterëve. Njohja nga ana e UNESCO-s mund të favorizojë shtimin e fluksit të vizitorëve.

Edhe udhëtimi i fundit i Papës Françesku në Kajro, më 28 e 29 prill 2017, u prit nga përgjegjësit e kësaj politike si rast për ta paraqitur Egjiptin si një ndër vendet e mundshme për të krishterët e gjithë botës, që kanë dëshirë të vihen për udhë pas gjurmëve të Familjes Shenjte. Edhe Ati i Shenjtë iu referua mikpritjes egjiptiane për Jezusin, Jozefin e Marinë, të detyruar të mërgonin.

Kështu, Egjipti shpreson të kompensojë, së paku pjesërisht, humbjet e mëdha në industrinë e turizmit, për shkak të terrorizmit dhe të paqëndrueshmërisë së krejt rajonit. Brenda paketave turistike, që do të përshkojnë udhën e Familjes Shenjte, do të bëjnë pjesë edhe çaste, që vlerësojnë trashëgiminë historike dhe arkeologjike të qytetërimit të lashtë egjiptian.








All the contents on this site are copyrighted ©.