Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku: doktrina e vërtetë bashkon, ideologjia përçan

Papa kryeson Meshën në Shën Martë

19/05/2017 12:32

Doktrina e vërtetë bashkon, ndërsa ideologjia përçan: këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke reflektuar mbi atë, që u quajt Koncili i Jeruzalemit i cili, rreth vitit 49, vendosi që paganët e kthyer në kristianizëm të mos rrethpriteshin, sipas kërkesës së Ligjit të Moisiut.

Reflektimi i Françeskut, përqendruar mbi Leximin e parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, nisi me vërejtjen se edhe në bashkësinë e parë të krishterë kishte zili, luftë për pushtet, e nuk mungonte as ndonjë dinak, që donte ta fitonte e ta blinte pushtetin. Probleme ka pasur gjithnjë, jemi njerëz, mëkatarë, e prej këndej, edhe në Kishë nuk mungojnë vështirësitë. Por bindja se jemi mëkatarë, nuk duhet të na largojë nga Zoti, përkundrazi, duhet të na nxisë t’i afrohemi përvujtërisht Atij, që na shpëton nga mëkatet tona. Përsa u përket paganëve, të cilët Shpirti Shenjt i thërret për t’u bërë të krishterë, Papa kujtoi se, në fragmentin e sotëm ungjillor, apostujt e pleqtë zgjedhin disa prej tyre dhe i nisin për në Antioki, së bashku me Palin e Barnabën. Dy, ishin grupet e njerëzve, të përshkruar në Veprat e Apostujve: njëri, që bënte diskutime të forta, por me frymë të mirë, e tjetri, që pështjellonte:

“Grupi i apostujve, që duan t’i diskutojnë problemet, e grupi i të tjerëve, që krijojnë probleme, që përçajnë, përçajnë Kishën, pohojnë se apostujt nuk predikojnë atë që tha Jezusi, se nuk thonë të vërtetën”.

Apostujt diskutojnë ndërmjet tyre e, në fund të fundit, merren vesh:

“Po nuk është marrëveshje politike, është frymëzimi i Shpirtit Shenjt që i shtyn të thonë: s’ka asgjë për të diskutuar, asnjë kërkesë. Vetëm disa kërkuan të mos hahej mish në këtë kohë, domethënë, mishi, që u flijohej idhujve, sepse ishte njëlloj si të bashkoheshe me idhujt;  të hiqej dorë nga gjaku, nga  gjëja e gjallë e mbytur me të marrë fryme e nga bashkimet e paligjshme”.

Papa vuri në dukje lirinë e Shpirtit, që i shtyu të merren vesh, e kështu paganët mundën të hyjnë në Kishë, pa pasur nevojë të rrethpriteshin. Mund të themi se ky ishte Koncili i parë i Kishës - Shpirti Shenjt e ata, të gjithë së bashku - të mbledhur për të sqaruar doktrinën e ndjekur në shekuj, për shembull, nga Koncili i Efezit, ose nga Koncili II i Vatikanit, sepse është detyrë e Kishës ta sqarojë doktrinën, deri sa të kuptohen mirë fjalët që tha Jezusi në Ungjijtë, të kuptohet cili është Shpirti i Ungjijve:

“Por nuk kanë munguar kurrë njerëz që, pa i pasë ngarkuar kush me këtë detyrë, shkojnë e ngacmojnë bashkësinë e krishterë me fjalë, që i turbullojnë shpirtrat: ‘Eh, jo. Kjo që tha ky është herezi, nuk mund të thuhet kjo, sepse doktrina e Kishës është kjo….’. E janë fanatikë të gjërave të paqarta, si ata fanatikët që shkonin duke hedhur farën e grindjes, për ta përçarë bashkësinë e krishterë. E ky është problemi: kur doktrina e Kishës, ajo që vjen nga Ungjilli, që frymëzohet nga Shpirti Shenjt - sepse Jezusi ka thënë ‘Ai do t’ju mësojë e do t’ju bëjë ta kujtoni çka ju mësova unë” - kjo doktrinë bëhet ideologji. E ky është edhe gabimi i madh i këtyre njerëzve”.

Këta individë - vijoi të shpjegonte Papa - nuk ishin besimtarë, ishin të ideologjizuar. Kishin një idelogji, që i mbyllte zemrat për veprimin e Shpirtit Shenjt. Ndërsa apostujt natyrisht mund të kenë diskutuar fort, por të ideologjizuar sigurisht nuk ishin: e kishin zemrën të hapur për fjalën  e Shpirtit Shenjt.  E, pas diskutimeve, gjithçka e vendos ”Shpirti Shenjt e ne”.

Papa ftoi të mos trembemi përballë opinioneve të ideologëve të doktrinave. Kisha - përfundoi - ka magjisterin e vet, shërbesën e Papës, të ipeshkvijve, të koncileve; e duhet të ecim në këtë udhë, që vjen nga predikimi i Jezusit e nga mësimet dhe nga prania e Shpirtit Shenjt, "gjithnjë e hapur, gjithnjë e lirë, sepse doktrina bashkon, koncilet e forcojnë unitetin e bashkësisë së krishterë, ndërsa idelogjia, përçan”.

19/05/2017 12:32