Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Shpirti Shenjt - RV

19/05/2017 15:46

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës Hyjnore të Dielës së 6-të të Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. 

Këtu mund të dëgjoni më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele……….

Leximet biblike të kësaj së diele, na ftojnë të reflektojmë akoma mbi ngjarjen madhështore të pashkëve: vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit Zot. Ungjilli nga Gjoni na paraqet Jezusin në Darkën e Mbrame, me miqtë e tij, apostujt, e u thotë: “Nëse më doni….” E pastaj,

Pastaj, Jezusi e thellon  akoma bisedën me apostujt duke u thënë: “E unë do t’i lutem Atit, e Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, ( në greqisht: Paraklitos), që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës”. Në ne, Shpirti Shenjt.  Kështu, u shpjegon atyre se çka ndodh nëse apostujt e duan Zotin. Pra, Jezusi i përgatit dishepujt për momentin e kthimit të Tij te Ati Qiellor, e para largimit të tij, i siguron dishepujt se nuk do të jenë vetëm, prandaj u thotë: ”E unë do t’i lutem Atit, e Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës”.

 “Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju”: ky është premtimi i Jezusi, na siguron Ungjilli i kësaj së diele. Po fjalët e Jezusit nuk janë vetëm një siguri, ato marrin një domethënie më të thellë: ndërsa dëfton planin e Atit, Jezusi ua beson apostujve pasojat e tij në kohën e pas ngjalljes së vet. Këto fjalë duhet ta udhëheqin Kishën, duhen të frymëzojë kohën e pritjes së ardhjes së tij, kohën e Shpirtit. Atëherë kumtimi e dëshmimi i Ungjillin do të mund të japin gëzim të madh, si në leximin e parë nga Vepra e Apostujve (8,5-8.14-17) ku flitet për predikimin e Filipit. E pastaj mund ta adhurojmë Zotin në zemrat tona, siç na nxit të bëjmë leximi dytë nga Letra e Parë e Shën Pjetrit (3,15-18), e t’i përgjigjemi kujtdo që na pyet për arsyen e shpresës sonë.

Fjalët e Jezusit, në Ungjillin e kësaj së diele, pra, konfirmojnë një prani të Tij të re në mesin e komunitetit të dishepujve përmes Shpirtit të së Vërtetës. Është siguria e të qenurit dhe të qëndrimit të Jezusit në dhuratën e Shpirtit që e bën Kishën dëshmitare të bindur të ringjalljes.

Jezusi, në lutjen e tij “meshtarake”,  i tregon arsyet e gëzimit me të cilin do që dishepujt e tij të jenë përplot, pavarësisht “largimit” e vuajtjeve, “kryqit”, drejt të cilit Ai po shkon. Prandaj, duke ju afruar festës së Rrëshajve, liturgjia e  Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve, na përgatit dhe fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit të Zotit. 

          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 8, 5-8.14-17

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Filipi zbriti në një qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.  Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt. Fjala e Zotit.

 

Pslami 66

Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha

——————————————–

Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme
janë veprat e tua!”

——————————————–

Le të të adhurojë mbarë toka e le të këndojë, 
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese
mes bijve të njerëzve!

——————————————–

Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.

——————————————–

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim. 
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet.

 

Leximi i dytë    1 Pjt 3, 15-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq – nëse është vullnesa e Hyjit – duke bërë mirë se duke bërë keq. E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Fjala e Zotit.

 

Aleluja: Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.

Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë. Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 14, 15-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë; do të vij tek ju.  Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj. Edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.”  Fjala e Zotit.

19/05/2017 15:46