Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Ipeshkvijtë e Venezuelës: populli të dalë shesheve për të shmangur diktaturën

Situata në Caracas - EPA

19/05/2017 18:20

“Jemi pranë popullit tonë, që shprehet sot rrugëve dhe në mjedise të tjera të shoqërisë, për mbrojtjen e të drejtave të veta të nëpërkëmbura nga  njerëz, që po e dhunojnë  Kushtetutën”. Me këto fjalë, prelatët e Konferencës ipeshkvnore venezuelane paditën ata, që po i shkelin paturpësisht të drejtat e njeriut dhe po e dhunojnë Kushtetutën  e vendit. Në Nxitjen baritore, paraqitur në përfundim të një asambleje të jashtëzakonshme, mbrëmë, prelatët  ripohuan se “propozimi i qeverisë për të rihartuar Kushtetutën, jo vetëm që nuk është i nevojshëm, por edhe “i rrezikshëm për demokracinë venezuelane, për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe paqen shoqërore”. Në këto rrethana, Kisha e inkurajon popullin t’i shprehë kërkesat e ligjshme në formë paqësore. Kështu, ata që e dhunojnë, ta marrin vesh se populli është subjekti i vërtetë i demokracisë dhe se forma  më e  mirë e  për të dalë nga kriza, janë votimet. Instervistuam imzot Diego Padròn, kryetar i Konferencës ipeshkvnore venezuelane:

Përgjigje: - Pohuam me forcë se jemi barinj të popullit të Zotit e, si të tillë, në emër të Tij, kërkojmë që populli ynë të fitojë vetëdijen e rëndësisë së këtij çasti e, njëkohësisht, të favorizojë gjithçka e çon në jetë, duke  dënuar gjithçka e çon në vdekje. E themi këtë, sepse dëshirojmë  të vëmë në dukje të drejtën e popullit për të shprehur haptas opinionet e veta. Lufta bëhet edhe përmes ballafaqimit të ideve, ngaqë ekzistojnë dy vizione të ndryshme për situatën: vizioni i qeverisë, që e quan të drejtë vetëm çka propozon vetë, e vizioni i popullit, që kërkon të drejtën të shprehë mendimin e vet kundër qeverisë e kundër reformimit të Kushtetutës, sepse ndryshon vetë natyrën e shtetit venezuelan.

Pyetje: - Domethënë, ju nuk e pranoni propozimin e qeverisë për reformimin e Kushtetutës, madje e quani të rrezikshëm….

Përgjigje: - Ne jemi shtet i drejtësisë, i së drejtës, shtet demokratik, e kushtetuta thotë se populli duhet t’i zgjedhë  drejtpërdrejt përfaqësuesit e vet, ndërsa ideja e re është që përfaqësuesit e popullit të zgjidhen nga një organizëm, domethënë, zgjedhje të dorës së dytë. Merreni me mend ç’do të thotë kjo, kur edhe zgjdhjet e dorës së parë tepër shpesh manipulohen.

Pyetje: - Ju keni nënvizuar se situata po rëndohet më tej nga dhuna shtypëse e autoriteteve e, posaçërisht e grupeve paraushtarake, të njohura si “kolektive” …

Përgjigje: - Natyrisht! E, kujtojmë sidomos, se situata po rëndohet më tej nga grupet paraushtarke, të armatosura, që kërkojnë vetëm vdekjen e qytetarëve. Ata ndërhyjnë në çdo manifestim, ndërsa të rinjtë tanë ose duhet të tërhiqen, ose t’i bëjnë ballë vdekjes së sigurt, sepse jemi në gjendje lufte: të rinj të çarmatosur, popull i çarmatosur, përballë grupeve të armatosura. Kjo na detyron të radhitemi përkrah popullit, të cilin nuk na e besoi qeveria, por vetë Zoti! 

19/05/2017 18:20