Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Auza në OKB: të luftojmë dhunën kundër grave në konflikte

Gratë, në një botë të pabarabartë - ANSA

19/05/2017 12:37

Thirrje e fuqishme për shtetet dhe bashkësinë ndërkombëtare që t’i jepet përparësi luftës kundër dhunës seksuale në konflikte. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Nju Jorkut, imzot Bernardito Auza, mori pjesë këto ditë në debatin politik të Këshillit të Sigurimit mbi temën “Gratë, paqja dhe siguria”.

“Vuajtja e pallogaritshme e kaq shumë grave – tha ai – që vazhdojnë të jenë viktima të mizorive të tilla, nuk mund të mos na nxisë fuqishëm për të vepruar”. Imzot Auza iu refrua raportit të fundit, paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve, ku përfshihen rrëmbimi e trafikimi i njerëzve, skllavërimi seksual, prostitucioni, aborti, sterilizimi dhe martesat e detyruara.

Në këtë kontekst “të tmerrshëm dhe kriminal”, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë vuri theksin mbi përdorimin e dhunës seksuale si “taktikë terrorizmi”. “Arsyet pas këtij krimi, me ligësi të veçantë – ngriti zërin imzot Auza – janë litanitë e së keqes e përfshijnë: favorizimin e rekrutimit të terroristëve, terrorizimin dhe shpërbërjen e popullsisë, detyrimin për t’u kthyer në fe tjetër përmes martesës, shtypjen e të drejtave themelore të grave, përfitimin e fondeve nga trafiku seksual, kërcënimin kundër familjeve të dëshpëruara, të cilave u kërkohet një shumë e madhe të hollash, ofertën e grave e të vajzave si viktima lufte për të shpërblyer luftëtarët, të cilët pastaj i shesin, ose i shfrytëzojnë si të duan, duke i përdorur si mburoja njerëzore apo kamikaze”.

Prandaj, vuri në dukje prelati, “nuk ka nevojë për prova të tjera që të dokumentohet se gratë e vajzat vihen veçanërisht në shënjestër , si taktikë për të mbjellur frikë, për t’i nënshtruar ato vetë e për të nxjerrë përfitime për makinën e terrorizmit”.

“Në përgjigje të kësaj kulture dhune – përfundoi kreu i delegacionit vatikanas – bota, sidomos gratë e vajzat, dinjiteti i të cilave dhunohet pa mëshirë, duhet ta shohin Këshillin e Sigurimit me shpresë për kundërveprim”. E shpresa e tyre nuk duhet të jetë e kotë.

19/05/2017 12:37