Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Atë Spadaro: diplomacia e Françeskut ndërton ura e shemb mure

Papa, Peres e Abbas - ANSA

19/05/2017 13:24

Më 20 maj, në Romë, pranë selisë së revistës së Jezuitëve “Qytetërimi Katolik” (La Civiltà Cattolica), në orën 18.00, do të organizohet një tryezë e rrumbullakët me temë “Atlasi i Papës Françesku”. Drejtori i revistës së jezuitëve, atë Antonio Spadaro, para mikrofonit të Radio Vatikanit, flet posaçërisht për kriteret, që e udhëheqin veprimtarinë diplomatike të Jorge Mario Bergoglios, përqendruar tek mëshira dhe tek kultura e takimit.

Duke na takuar ne, jezuitët e Civiltà Cattolica, Papa pohoi se kriza është globale e se, prandaj, është e nevojshme t'i drejtojmë sytë  kah kriteret, përmes të cilave e shikojmë të mirën e të keqen në botë, duke u përpjekur të kuptojmë si funksionon. Atëhere mund të themi se Papa e shikon botën si realitet i ndërlikuar, shumë i larmishëm, ku ekziston rreziku të vihen caqe, të ndërtohen mure. Shpesh Papa kujton edhe rrezikun e populizmave e të nacionalizmave, që i mbyllin kombet brenda kufijve të tyre. Atëhere Papa e shikon botën si të pushtuar nga dëshira për t’u takuar, për t’i kapërcyer kufijtë, për t’i shembur muret, por pa harruar se në këtë botë ka edhe shumë plagë të hapura, të cilat mund të shndërrohen në porta. Kështu ndodhi, për shembull, me Lampeduzën, apo me ishullin e Kubës. Prej këndej, mund të themi se Papa shikon një botë në lëvizje, por që duhet të ketë një shpirt.

Natyrisht, kur flitet për Atlas, mendimi të shkon menjëherë tek shtegtimet. Shtegtimet e Papës. Ati i Shenjtë ka shkruar më se një herë se shumë nga këto shtegtime, për shembull ai në Egjipt, kohët e fundit, “kanë vlerë terapeutike”. Ç’do të thotë kjo?

Papës i pëlqen të ballafaqohet me realitetin ashtu siç është; e shpesh ky realitet është dramatik. Në vendet ku ka shkelur Papa, ka tensione të forta. E Françesku deshi t’i prekte me dorë edhe muret e tyre, t’i prekte fizikisht, si gjatë shtegtimit në Tokën Shenjte, ashtu edhe gjatë vizitës tek Muri i Auschwitz-it, që ka vlerë të madhe historike, e edhe  në vizita të tjera të ndëlikuara, siç është rasti i Kubës, i Bangui, etj. Prej këndej, mund të themi se Papa dëshiron të ballafaqohet me këtë dramaticitet, e këtë dëshiron ta bëjë, si e bëri  Zoti, domethënë, duke prekur me dorë, për të shëruar; e atëherë afrimi i tij, kontakti i drejtpërdrejtë, që do ta quaja fizik, me këtë realitet të ndërlikuar, të vështirë e plot me tensione, është kontakt që synon të rikrijojë lidhje, të hedhë ura, të shërojë plagë.

Papa Françesku propozon diplomacinë e mëshirës, pohoi kohët e fundit kryeministri italian, Gentiloni, gjatë një takimi, organizuar nga Civiltà Cattolica: cilat janë, sipas jush, pikat kryesore, që e shprehin këtë diplomaci kaq të veçantë?

Kjo do të thotë se asgjë nuk mund të konsiderohet kurrë përfundimisht e humbur; jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, por edhe ndërmjet shteteve, ose ndërmjet fushave në konflikt, që nuk mungojnë në botën e sotme. Në këtë drejtim Papa ka hapur dialog me të gjithë, ngaqë e di mirë se shpesh nuk është fjala për ndeshje ndërmjet së mirës me të keqen, por për ndeshje interesash, prej këndej, duhet folur me të gjithë, sepse vetëm kështu mund të arrihet rrugëzgjidhja e ndërmjetësuar, domethënë, diplomatike, duke e ditur se asgjë nuk duhet konsideruar kurrë si e humbur.

Më 24 maj Papa Françesku do të presë, në Vatikan, presidentin amerikan Trump. Duke u kthyer nga Portugalia, gjatë konferencës së shtypit në avion, Papa tha: “Do të dëgjoj, pa paragjykime”. Këtu shihet dhe realizmi i krishterë, e ne, me fjalët e "Evangelii gaudium”, mund të themi se “realiteti qëndron mbi idenë”…

Gjithnjë për Papën, realiteti qëndron mbi idenë - e takimi - mbi gjithçka tjetër, sepse Françesku nuk arsyeton me ide a me paragjykime. Është plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë, në çdo takim, por nuk dëshiron të vërë parakushte. I pëlqen më shumë t’i takojë njerëzit e, në këto rrethana, të jetë i çiltër, i sinqertë. Vetëm nga takimi, nga një takim realist, në të cilin gjithkush thotë çka mendon, është e mundur të arrihen perspektiva për të ardhmen.

19/05/2017 13:24