Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: të sëmurët e Hantingtonit të mos mënjanohen

Papa Françesku, në takimin me të sëmurët e Hantingtonit - ANSA

18/05/2017 14:53

Të gjithë të impenjohen që sëmundja e Hantingtonit të mos i detyrojë njerëzit të fshihen e të mënjanohen nga shoqëria. Këtë kërkoi Papa Françesku në audiencën me një grup të sëmurësh, me familjarët e tyre, me shoqatat, mjekët dhe personelin, që kujdeset për ta, ardhur nga disa vende të botës në Sallën Pali VI në Vatikan, gjithsej, 1500 vetë. “Jeni të çmuar” në sytë e Zotit e të Kishës, u kujtoi Papa të sëmurëve.

Ati i Shenjtë i përqafoi, i shtrëngoi fort pas vetes, i puthi e u përkul mbi fëmijët e të rinjtë, që mallëngjeheshin e prekeshin. Njerëz, që jetojnë kalvarin e sëmundjes, e cila shkakton lëvizje të pakontrollueshme, probleme në nivelin kognitiv dhe pastaj, edhe në atë psikiatrik. Sëmundja e Hantingtonit - që ka marrë emrin e shkencëtarit, i cili e përshkroi plotësisht – është neurodegjenerative dhe, fatkeqësisht, trashëgohet. Tani për tani, nuk mund të mjekohet. Në Amerikën Latine regjistrohen më shumë raste se në zona të tjera të botës e shpesh, të sëmurët mbahen të fshehur e të mënjanuar nga shoqëria.

Sëmundja e Hantingtonit nuk duhet t’i mënjanojë njerëzit

Tragjedi të përvijuara përmes filmit të projektuar në Sallën Pali VI, pas të cilit foli Papa Françesku. Ati i Shenjtë nënvizoi se nuk është e drejtë që këta njerëz të izolohen e madje, të pësojnë diskriminim shoqëror:

“Tepër gjatë, frika dhe vështirësitë, që karakterizojnë jetën e njerëzve të sëmurë nga Korea e Hantingtonit, kanë krijuar rreth tyre keqkuptime, barriera, mënjanime të vërteta. Në shumë raste, të sëmurët dhe familjet e tyre kanë përjetuar dramën e turpit, të izolimit, të braktisjes. Por sot, jemi këtu sepse duam t’i themi vetvetes e gjithë botës: ‘HIDDEN NO MORE!’, ‘OCULTA NUNCA MAS!’, ‘KURRË MË TË FSHEHUR!’. Nuk është fjala thjesht për një parrullë, por për një impenjim, që duhet të na bëjë të gjithëve protagonistë”.

Shkenca të vijojë punën, por jo duke shkatërruar embrionet njerëzore

Më pas, Papa Françesku inkurajoi shkencëtarët dhe gjenetistët të vazhdojnë punën për të gjetur mjekimin për këtë sëmundje. Megjithatë, paralajmëroi Ati i Shenjtë, asgjë nuk e justifikon përdorimin e embrioneve njerëzore:

 “Ju inkurajoj ta vazhdoni punën me mjete, që nuk kontribuojnë për ta ushqyer kulturën e hedhurinave, e cila, nganjëherë, hyn edhe në botën kërkimore-shkencore. Vërtet, disa rryma kërkimore përdorin embrionet njerëzore, duke shkaktuar shkatërrimin e tyre të pashmangshëm. Por e dimë se asnjë qëllim, sado finsik të jetë - si për shembull, rëndësia për shkencën, për njerëzit e tjerë ose për shoqërinë - nuk mund të justifikojë shkatërrimin e embrioneve njerëzore”.

Inkurajimi i Papës për familjet dhe mjekët

Familjeve, të parave që u duhet t’i shoqërojnë të sëmurët e Hantingtonit në rrugën e tyre të vështirë, Papa Françesku u kërkoi të mos kenë turp e të garantojnë një rrjet të vërtetë solidariteti. Pastaj, përmendi spitalin “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes”, në San Giovani Rotondo të Italisë, që është pikë referimi për të sëmurët e familjet e tyre, duke lavdëruar punën e personelit shëndetësor:

“Sëmundjes i shtohet shpesh varfëria, ndarjet e detyrueshme, ndjenja e përgjithshme e përhumbjes dhe e mosbesimit. Prandaj, shoqatat dhe agjencitë kombëtare e ndërkombëtare janë jetësore. Jeni si krahë, që Zoti i përdor për të mbjellur shpresë. Jeni zëri i këtyre njerëzve për të kërkuar të drejtat e tyre!”

Jezusi i donte të sëmurët: askush të mos ndjehet vetëm

Jezu Krishti, kujtoi Papa, ishte i pari që takohej me të sëmurët dhe me shembullin e Tij, nuk i linte mënjanë shoqërisë. Ai na ka mësuar se njeriu nuk e humb dinjitetin, edhe në sëmundje. E të sëmurëve të pranishëm, Ati i Shenjtë u shprehu dashurinë e tij:

 “Të sëmurët, që takonin Jezusin, gjallëroheshin, pikë së pari, nga kjo vetëdije. E ndjenin se Ai i dëgjonte, i respektonte, i donte. Asnjëri prej jush të mos ndjehet vetëm, askush të mos kujtojë se është barrë, asnjë të mos ndjejë nevojën për të ikur. Ju jeni të çmuar për sytë e Zotit, jeni të çmuar për sytë e Kishës!”.

18/05/2017 14:53