Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: dashuria e Jezusit është e pamasë, mos ndiqni “dashuri” të kësaj bote

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës

18/05/2017 13:06

Dashuria e Krishtit është e pamasë, jo si dashuritë e kësaj bote në kërkim të pushtetit e të kotësive. Kështu tha Papa Françesku gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se misioni i krishterë është “t’u transmetojë njerëzve gëzim” dhe theksoi se dashuria e Zotit është “bërthama” e jetës së të krishterit.

Ka “dashuri”, që na largojnë nga Krishti

“Ashtu si Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju desha juve”. Ati i Shenjtë u nis nga ky pohim i Jezusit në Ungjillin e sotëm, për të vënë në pah se dashuria e Krishtit është pa fund. Zoti na kërkon të mos largohemi nga dashuria e Tij e të zbatojmë Urdhërimet, që janë baza e jetës së krishterë. Urdhërimet janë dhjetë, por thelbi i tyre është një i vetëm, vërejti Papa Françesku: dashuria e Atit Qiellor për Krishtin dhe dashuria e Jezusit për ne. E, duke pasur parasysh botën e sotme, shtoi:

“Ka dashuri të tjera. Edhe bota na propozon dashuri: dashurinë për paranë për shembull, dashurinë për kotësitë, për t’u mburrur, dashurinë për krenarinë, dashurinë për pushtetin, madje, edhe nëse bëjmë padrejtësi për të pasur më tepër pushtet…. Këto janë dashuri të tjera, nuk janë të Jezusit e nuk janë të Atit Qiellor. Ai na kërkon të mbetemi në dashurinë e Tij, që është dashuria e Atit. Të mendohemi mirë për këto dashuri të tjera, që na largojnë nga dashuria e Jezusit. Ka edhe dashuri me tjetër masë: të duash përgjysëm, edhe kjo nuk është dashuri. Të duash është një gjë e të dashurosh është tjetër gjë”.

Dashuria e Zotit është pa masë, as e vakët, as me interes

Të dashurosh, nënvizoi sërish Papa, është më shumë se të duash. E atëherë, cila është masa e dashurisë, pyeti Françesku. Masa e dashurisë, u përgjigj, është të dashurosh pa masë:

“E kështu, duke ndjekur urdhërimet që na dha Jezusi, do të mbetemi në dashurinë e Jezusit, që është dashuria e Atit, e njëjta gjë. Pa masë! Pa këtë dashuri të vakët, ose me interes. ‘Po përse o Zot, na i kujton këto gjëra?’, mund t’i themi. ‘Sepse dua që gëzimi im të mbesë brenda jush e gëzimi juaj të jetë i plotë’. Nëse dashuria e Atit vjen te Jezusi, është Ai që na mëson rrugën e dashurisë: zemra e hapur… dashuria pa masë… duke lënë mënjanë dashuritë e tjera”.

Misioni i të krishterit është t’i bindet Zotit e t’u japë gëzim njerëzve

Nëse mbetemi në dashurinë e Zotit, shtoi Papa Françesku, ndjejmë gëzimin, që na sjell ajo. Dashuria dhe gëzimi janë dhuratë, vërejti Ati i Shenjtë, e këto dhurata duhet t’ia kërkojmë Zotit:

“Pak kohë më parë, një meshtar u shugurua ipeshkëv. Shkoi tek i ati i moshuar për t’ia dhënë këtë lajm. E ky burrë i moshuar, në pension tashmë, ishte i përvuajtur, kishte bërë punëtorin gjithë jetën, nuk kishte shkuar në universitet, por kishte urtinë e jetës. I këshilloi të birit vetëm dy gjëra: ‘Bindu dhe jepu gëzim njerëzve’. Ky njeri e kishte kuptuar punën: bindju dashurisë së Atit, pa dashuri të tjera; bindju kësaj dhurate e pastaj, jepu gëzim njerëzve. Ne të krishterët – laikë, meshtarë, rregulltarë, ipeshkvij – duhet t’u japim gëzim njerëzve. E përse? Po për këtë, për rrugën e dashurisë, pa asnjë interes… vetëm për rrugën e dashurisë. Misioni ynë i krishterë është t’u japim gëzim njerëzve”.

Së fundi, Papa Françesku u lut që Zoti t’u japë të gjithëve dhuratën e dashurisë së Jezusit, për t’u dhënë pastaj gëzim të tjerëve.

18/05/2017 13:06