Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa ambasadorëve të rinj: bashkëpunimi për paqe e për dialog

S.S. Francesco : Sala Clementina: Presentazione delle Lettere Credenziali degli Ecc.mi Ambasciatori di Mauritania, Nepal , Trinidad e Tobago , Sudan , Kazakhstan , Niger 18-05-2017

18/05/2017 14:59

Rëndësia e diplomacisë dhe dialogut për të ndihmuar botën në zgjidhjen e çështjeve të dhimbshme aktuale. Ky thelbi i fjalimit, që Papa Françesku u drejtoi ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë të Kazakistanit, Mauritanisë, Nepal-it, Sudanit, Trinidad e Tobago-s, të cilët i priti, sot paradite në audiencë në Vatikan, për paraqitjen e Letrave Kredenciale.

Diplomatëve të rinj, Papa Françesku ua kujtoi skenarin aktual ndërkombëtar, të ndërlikuar, të mjegullt, në të cilin është e domosdoshme të përshkohet udha e paqes, për t’i zbutur e pakësuar tensionet:

“Ndërmjet faktorëve që i ndërlikojnë dhe i bëjmë të mprehta problemet janë ekonomia e financa të cilat, në vend që t’i shërbejnë konkretisht njeriut, organizohen kryesisht për t’i shërbyer vetvetes e për t’i ikur kontrollit të pushteteve publike, që kanë përgjegjësinë e së mirës së përbashkët, por kanë mangësinë e levës (mjeteve) së nevojshme për t’i moderuar etjet e tepruara të një grupi të vogël njerëzish”.

Papa shpreh pastaj shqetësimin e vet përball përdorimit gjithnjë më të shpeshtë të forcës, jo si ultima ratio, por si mjet i gatshëm për t’u përdorur pa i vlerësuar pasojat. Rruga për zgjidhjen e shumë krizave gjendet, për Papën, në përpjekjen për krijimin e një botë më të drejtë e të barabartë:

“ Para degradimit dhe rreziqeve që minojnë paqen në botë, duhet të përgjigjemi me ndërtimin e një ekonomie dhe finance të përgjegjshme përballë fateve të njeriut dhe komunitetit në të cilin gjendet e ku është integruar. Njeriu dhe jo dinari le të kthehet për të qenë synimi dhe caku i ekonomisë!”.

Një tjetër faktor që i përkeqëson konfliktet – vijoi Papa Françesku – është fundamentalizmi, keqpërdorimi i religjionit për të justifikuar etjen për pushtet, përdorimi i emrit të shenjtë të Zotit për ta avancuar me çdo mjet planin personal të hegjemonisë. Falë dialogut e diplomacisë – tha akoma Papa – është e domosdoshme të izolohet kushdo që mundohet ta shndërrojë përkatësinë dhe identitetin fetar në një motiv (arsye) të urrejtjes për të gjithë të tjerët.

“ Atij që e shëmton kështu imazhin e Zotit, le t’i kundërvihet një impenjim i përbashkët, koral, për të treguar se Emri i Zotit nderohet, duke shpëtuar jetët e jo duke i vrarë, duke sjellë pajtimin e paqen e jo përmes ndarjes e luftës, me mëshirë e mirëkuptim e jo me indiferencë e brutalitet”.

Nëse lëvizim me vendosmëri në këtë udhë  - përfundoi Papa – kauza e paqes dhe e drejtësisë do të bëjë hapa konkret përpara. Së fundi përshëndetja e Papës Bergoglio, përmes diplomatëve të pranishëm, drejtuar “Barinjve e besimtarëve të komuniteteve katolike të pranishëm në vendet e tyre. Atyre u shkon inkurajimi i Papës për të vazhduar me dëshmimin e tyre të fesë dhe me shërbimin e tyre bujar, duke kontribuar kështu për të mirën e përbashkët”.

18/05/2017 14:59