Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 18 maj kalendari përkujton Shën Gjonin I, papë e martir

'Venetian Renaissance Paintings from the Gallerie dellAccademia' a Tokyo - Robusti Jacopo Tintoretto bottega - Gesù incornato di spine. - ANSA

18/05/2017 11:41

Më 18 maj kalendari përkujton Shën Gjonin I, papë e martir. “Shumë të rënda, sipas gjykimit të njerëzve, janë fajet e tua si njeri e si mbret: etje e pangopur për pushtet e për masakra, tolerancë e tepruar ndaj marrëzisë së ndjekësve të tu, mendjemadhësi e mashtrim…”. Kështu, me gojën e një engjëlli, shkrimtari i njohur italian, Giovanni Papini i flet Teodorikut në veprën e tij kushtuar gjyqit universal.

E ja edhe përgjigja: “Isha në krye të njërës nga kopetë e endacakëve të uritur dhe gjithë autoriteti im si kapiten e si mbret nuk mund t’i kthente sa çel e mbyll sytë në grigjë psalmistash e njerëzish që gjunjëzohen para Zotit….. Romakë të rifuqizuar e Gotë të rifisnikëruar duhet të shkriheshin në një popull të vetëm e të fortë, të aftë për t’i ridhënë Italisë vendin e parë në botë. Nuk ishte faji im në se kjo ëndërr fisnike mbeti vetëm ëndërr”. 

E kujtuam këtë fragment nga vepra e Papinit, sepse jeta e Shën Gjonit I, papë, lidhet ngushtë pikërisht me dramën politiko-fetare të Teodorikut.
Toskan nga lindja, Gjoni u ul në fronin e papnisë pas Papës Ormisda më 15 gusht të vitit 523. Ndonjë studiues e identifikon me Gjonin diakon, autor i “Epistola Senarium”, letër me rëndësi të madhe për historinë dhe liturgjinë e Pagëzimit, sepse ndoshta është i vetmi dokument që vërteton traditën e Kishës së Romës për të ngritur e për të shuguruar të Shtunën e Madhe shtatë altarë si dhe për të shtënë në Kelk një përzierje qumështi e mjalti.

Përveç tjerash, Gjoni diakon njihet si autor i traktatit “De fide catholica”, që erdhi deri në kohët tona përmes veprave të Severino Boecio-s. 
Kur i biri i Kostancit u bë papë, Ormisda dhe perandori Justin, ungji i Justinianit, e kishin kapërcyer që prej pesë vjetësh skizmën që pati ndarë Romën nga Kostantinopoja në vitin e largët 484 për shkak të perandorit Zenon, i cili ishte përpjekur të realizonte një kompromis të pamundur ndërmjet katolikëve e monofizitëve.

Duke qenë se përpjekja solli edhe kthesa politike e se gotët ishin arianë, rreth vitit 524 Justiniani publikoi një edikt, me të cilin urdhëronte mbylljen e kishave ariane të Kostandinopojës dhe dëbimin e heretikëve nga çdo detyrë civile e ushtarake. Atëherë Teodoriku e detyroi Papën Gjoni I të shkonte në Kostandinopoje për të kërkuar nga perandori shfuqizimin e dekretit: manifestimet që u organizuan për ta pritur Papën, qenë të jashtëzakonshme: rreth 15 mijë vetë i dolën para me qirinj ndezur e me kryqa, duke i krijuar Gjonit I edhe mundësitë të kryesonte kremtimet solemne të Krishtlindjes e të Pashkëve. 

Justini pranoi kërkesën për t’ia kthyer arianëve kishat e shtetëzuara, por nguli këmbë të mos ua njihte arianëve të kthyer në katolicizëm të drejtën të bëheshin përsëri arianë. Kaq mjaftoi që Teodoriku, njeri tepër dyshimtar, që tashmë i kishte mbytur Boecion e Simakun, të mendonte për një krim të ri. 

18/05/2017 11:41