Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: nesër me të sëmurët e Hantingtonit, kundër mënjanimit shoqëror

George Huntington - RV

17/05/2017 14:40

Papa e Selia e Shenjtë shpresojnë që për të sëmurët e Hantingtonit “të fillojë një epokë e re, në të cilën t’i jepet fund ndjenjës së turpit dhe mënjanimit nga shoqëria”. Më këto fjalë, kardinali i Nju Jorkut, Thimothy Dolan, u sqaron gazetarëve të mbledhur sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, kuptimin e takimit të nesërm të Papës Françesku me të prekurit nga sëmundja e Hantingtonit, një sëmundje neurodegjenerative e rrallë, shkaktuar nga mutacioni i të ashtuquajturit gjeni i hantingtinës, që ndodhet në kromozomin 4. Është sëmundje e trashëgueshme, më e përhapur në Amerikën Latine se sa në zona të tjera të botës.

Ishte kreu i dikasterit vatikanas të Kulturës, kardinali Gianfranco Ravasi, që lexoi letrën e kardinalit Dolan drejtuar atij vetë, me anë të së cilës paraqiti audiencën e nesërme të Atit të Shenjtë me të sëmurët. I pranishëm në Sallën e Shtypit, edhe zv.presidenti i CHDI Foundation, Ignazio Munoz-Sanjuan, zëdhënësi botëror i të sëmurëve të Hantingtonit, Charles Sabine, senatorja italiane, Elena Cattaneo, që studion këtë sëmundje prej 20 vjetësh në Universitetin e Milanos dhe disa familje të sëmurësh.

“Papa Françesku – shpjegoi zv.drejtoresha e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Paloma Ovejero – dëshiron që, më në fund, kjo sëmundje të njihet e të vihen në dukje shpresat për kurimin e saj”. Këshilli Papnor për Kulturën, nënvizoi kardinali Ravasi, njihet me problemin jo për anën teknike, por për njërin nga aspektet, që ka të bëjë me vështirësitë në shprehje. Ai kujtoi se Selia e Shenjtë i kushton vëmendje prej kohësh sëmundjes së Hantingtonit e se në vitin 2000, Akademia e Shkencave të Vatikanit ia dha çmimin e saj më prestigjoz, atë të “Piut XI”, pikërisht studiuesve anglezë të kësaj fushe.

Nesër, në audiencën me Papën Françesku, do të marrin pjesë qindra familje të sëmurësh të Hantingtonit dhe mëse 30 organizata pacientësh nga 20 vende të botës. Ky takim shënon lindjen e një lëvizjeje botërore, që e ka bërthamën e vet në Amerikën e Jugut, ku përqindja e të sëmurëve është gati 1000 herë më e lartë se në zona të tjera të globit.

Gjeni i Hantingtinës u identifikua rreth 25 vjet më parë, gjatë studimit të historisë gjenetike të të sëmurëve, që jetojnë në afërsi të Liqenit Marakaibo, në Venezuelë. Pavarësisht se kanë kaluar dy dhjetëvjeçarë, akoma nuk ka trajtim mjekësor, që mund t’ia ndalojë zhvillimin sëmundjes. Simptomat e Hantingtonit, ku përfshihen lëvizje të pavullnetshme dhe të pakoordinuara, probleme të nivelit kognitiv dhe të natyrës psiqike, i kanë detyruar shumë të sëmurë ta fshehin sëmundjen, nga frika e damkosjes dhe e diskriminimit.

17/05/2017 14:40