2017-05-17 13:56:00

Papa Françesku: takimi me Jezusin e ngjallur e shndërron trishtimin në gëzim


“Zoti ynë nuk është i plogët, por ëndërron shndërrimin e botës” dhe e realizoi me misterin e Ringjalljes”. E kujtoi Françesku sot paradite, në audiencën e përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ia kushtoi katekizmin figurës së Marisë Magdalenë.

Këto javë reflektimi ynë vijon të shtjellohet rreth misterit të Pashkëve. E sot Papa na shoqëroi në një nga takimet më tronditëse të historisë njerëzore: takojmë atë e cila, sipas Ungjijve, ishte e para që e pa Jezusin e ngjallur, Marinë Magdalenë. Maria qe zgjuar pa shkrepur mirë agimi i së dielës, për të plotësuar ritet mortore, të pakryera ditën e mundimeve. Atë ditë plot me trishtim, gratë shkuan te varri i Jezusit me vajra të parfumuara. E para arriti ajo, Maria, një nga dishepullet, që e kishin shoqëruar Jezusin deri në Galile, duke u vënë në shërbim të Kishës në fasha. Në udhën e saj drejt varrit, pasqyrohet besnikëria e shumë grave, të cilat i përkujdesin për vite me radhë varret, në kujtim të atyre, që nuk janë më mes të gjallëve. Tregojnë, kështu, se lidhjet e njëmendta nuk mund t’i këpusë as vdekja, se është gjithnjë dikush mbi dhe, për ta dashur atë, që u nis e shkoi përgjithmonë.

Ungjilli (krh Gjn 20,1-2.11-18) e përshkruan Marinë, duke vënë menjëherë në dukje se nuk ishte grua që entuziazmohej lehtë. Pas vizitës së parë te varri, ajo rikthehet, e zhgënjyer, në vendin ku fshiheshin dishepujt; i lajmëron se guri i varrit qe flakur tutje e se dikush mund ta kishte rrëmbyer fshehurazi trupin e Jezusit. Kështu, kumti i parë, që sjell Maria, nuk është ai i Ngjalljes, por i grabitjes së trupit nga njerëz të panjohur, nësa Jeruzalemi qe kredhur në gjumë të thellë. Pastaj Ungjijtë na flasin për shtegtimin e dytë të Marisë drejt varrit të Jezusit: ishte kryeneçë, ajo. Shkoi e erdhi, sepse nuk bindej lehtë! Këtë herë çapi i saj është i ngadalshëm, i rëndë. Me barrën e vuajtjes së dyfishtë: të vdekjes së Jezusit e të zhdukjes të trupit të Tij!

E nësa përkulet pranë varrit, me sytë e mjegulluar nga lotët, Zoti e befason në mënyrën më të papritur. Shën Gjoni Ungjilltar nënvizon sa e madhe është, në këtë çast, verbëria e saj: nuk kujtohet fare për praninë e dy engjëjve, që i flasin, e nuk dyshon aspak, as kur pas supeve ndjen hapin e lehtë të njeriut, për të cilin mendon se ishte rojtari i kopshtit. E zbulon ngjarjen më tronditëse të historisë njerëzore, vetëm kur, më në fund, dëgjon zërin, që e thërret me emër: “Mari!”(v 16).

Sa gjë e bukur është të mendosh se dukja e parë e të Ngjallurit - sipas Ungjijve - u bë në mënyrë kaq personale. Se është dikush, që na njeh, që e shikon vuajtjen tonë e zhgënjimin tonë e preket thellë për ne e na thërret me emër. Është ligj, që e gjejmë të skalitur në shumë faqe të Ungjillit. Përreth Jezusit ka njerëz, që kërkojnë Zotin: por realiteti më i mrekullueshëm është se shumë më parë, vetë Zoti shqetësohet për jetën tonë, Zoti dëshiron të na ngushëllojë e, për ta bërë këtë, na thërret me emër, duke e njohur fytyrën e secilit prej nesh. Çdo njeri është histori dashurie më vete, që Zoti e shkruan mbi këtë tokë. Secili nesh është histori dashurie e Zotit. Zoti e thërret secilin me emër; na njeh me emër, na shikon, na pret, na fal, na duron! Është a s’është e vërtetë? Secili prej nesh  e provon këtë në zemër të vet.

E Jezusi e thërret: “Mari!”: është revolucioni i jetës së saj, revolucioni  i paracaktuar ta shndërrojë jetën e çdo burri e të çdo gruaje, nis me një emër, që jehon në kopshtin e varrit të zbrazur. Ungjijtë na e përshkruajnë lumturinë e Marisë: ngjallja e Jezusit nuk është gëzim i dhënë me pikatore, por ujëvarë gëzimi, që pushton gjithë jetën. Jeta e krishterë nuk endet me lumturi të mëndafshta. Jeta e krishterë është valë e fuqishme, që përmbys gjithçka. Bëni provë edhe ju e mendoni, në këtë çast, me barrën e zhgënjimeve  e të disfatave,  që i ka secili nesh në zemër, se e kemi një Zot pranë nesh, që na thërret me emër e na thotë: “Ngreju përsëri në këmbë, teri lotët, unë erdha për të të çliruar! E bukur, kjo!”.

Jezusi nuk i përshtatet botës, duke lejuar që në të të vijojë vdekja, trishtimi, urrejtja, shkatërrimi moral i njerëzve… Zoti ynë nuk është i plogët,  Zoti ynë është - në se mund ta përdor këtë fjalë - ëndërrimtar: ëndërroi shndërrimin e botës dhe e realizoi këtë në misterin e Ringjalljes.

Maria do të dëshironte ta rrokte Zotin e saj, por ai tashmë është drejtuar kah Ati qiellor, ndërsa ajo dërgohet t’ua çojë lajmin e madh vëllezërve. E kështu kjo grua, që para se ta takonte Jezusin ishte nën pushtetin e djallit (krh Lk8,2), tani bëhet apostulle e shpresës së re, më të madhes shpresë. Ndërmjetësimi i saj na ndihmoftë ta jetojmë edhe ne këtë shpresë: në orën e vajit, në orën e braktisjes, ta dëgjojmë Jezusin e ngjallur që na thërret me emër, e me zemrën plot mrekullim, të shkojmë e të kumtojmë “Pash Zotin!” (V18).

“Ndërrova jetë, sepse pash Zotin! Nuk jam më ai i pari, jam tjetër njeri! Ndryshova, sepse pash Zotin. Kjo është forca jonë e shpresa jonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.