2017-05-17 13:56:00

Ballkani i paqëndrueshëm: perspektiva evropiane nuk i frenon tensionet


Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” i kushton një artikull gjendjes në Ballkan, pas krizës së rëndë politiko-institucionale në Kosovë, ku presidenti u detyrua të dekretojë shpërndarjen e parlamentit. Gazeta vë në dukje se kjo qe rezultat i votës së mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa. Në artikullin me titull “Ballkani i paqëndrueshëm”, përmenden ndeshjet e dhunshme në asemblenë parlamentare të Shkupit, ku mbetën të plagosur më se 100 vetë. “Janë konfirmimi i ekuilibrit të brishtë dhe i paqëndrueshmërisë, që karakterizon Ballkanin, rajon gjithnjë në vlim, disa herë teatër luftrash e konfliktesh me natyrë ndërtenike, pasojat e të cilave shihen qartë edhe sot”, shkruan gazeta.

Perspektiva evropiane, që është konkretizuar tashmë për Slloveninë dhe Kroacinë, premtuar të gjitha vendeve të rajonit nga Brukseli, duket se nuk është në gjendje ta ndalë frymën e nacionalizmit dhe të problemeve etnike, që ndjehet mbi krejt territorin e ish-Jugosllavisë. “Ballkani – vërehet në gazetën “L’Osservatore Romano” – është një pjesë e Evropës jashtëzakonisht e larmishme dhe e ndërlikuar, një përzierje e vërtetë popujsh, kulturash, etnish dhe fesh, ku nacionalizmat, zilitë dhe fryma e hakmarrjes janë në rend të ditës. Jo rastësisht, analistë të ndryshëm politikë flasin për Ballkanin si për një ‘fuçi të vërtetë baroti’ në zemër të kontinentit të vjetër”.

Sipas gazetës vatikanase, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovina janë vendet më të paqëndrueshme, gjithnjë në rrezik konflikti. Gjithsesi, shqetësojnë edhe marrëdhëniet e ndera ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Nga ana tjetër, në ditët e kaluara, Mali i Zi ratifikoi marrëveshjen për të hyrë në NATO dhe po vijon bisedimet për integrimin në Bashkimin Evropian, duke tërhequr kështu, vëmendjen e Rusisë, e cila nuk është e interesuar për zgjerimin e Paktit të Atlantikut në një rajon, që qeveria e Moskës e konsideron me rëndësi strategjike.

“Pastaj – thekson më tej gazeta – e rëndon gjendjen rindezja e polemikave mbi të ashtuquajturën ‘Shqipëria e Madhe’, një projekt i denoncuar vazhdimisht nga Serbia”, me anë të të cilit synohet bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Ballkanit në një shtet të vetëm. Në Kosovë, vëren “L’Osservatore Romano”, “shumica e popullsisë është shqiptare, por pakica të rëndësishme të kësaj etnie janë të pranishme edhe në Serbi, në Malin e Zi, në Greqi, në Bullgari dhe në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku shqiptarët përbëjnë rreth 25% të popullsisë”.

E ndeshjet e fundit në parlamentin e Shkupit, pas zgjedhjes së një presidenti të ri nga etnia shqiptare, lindën pikërisht nga kundërshtia e forcave konservatore e nacionaliste për përfshirjen më të madhe të shqiptarëve në jetën politike të vendit. Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, sot, presidenti George Ivanov i dha mandatin për të formuar qeverinë koalicionit të përbërë nga socialdemokratët e SDSM-së dhe nga partitë e shqiptarëve. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ka 20 ditë kohë për të paraqitur kabinetin e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.