Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Atë Gjon Karma, jezuit, në përvjetorin e lindjes

Nje Kryq ne Indonezi - RV

17/05/2017 13:55

Jezuiti shqiptar Atë Gjon Karma në përvjetorin e lindjes. Lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat e Kishës së shkatërruar nga komunistët, etërit jezuitë kanë rindërtuar një nga Kishat e tyre të reja.

Atë Gjon Karma u përgatit në gjirin e Etërve Jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore të formimit të tij, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve u pranua në Goricia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhe, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zëvendës-drejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935).

Por kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës të Etërve Jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e popullsisë së këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t'i gjejë nën titullin "Lettere Edificanti", ‘vjetar i jezuitëve’, që ende mbetet për t'u studiuar.

Në këtë ‘vjetar’ gjinden shkrime të panjohura të jezuitit Atë Gjon Karma, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare. Atë Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t' i botonte në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi në veprën "Ndër malet tona", botuar më 1940.

Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje.

Duhet të ketë vdekur më 11 nëntor 1975, gjë që nuk dihet me siguri as kur vdiq, as ku u varros. Atë Gjon Karma, vuajti dhe i qëndroi besnik mësimeve të etërve deri në agoninë më të frikshme që mund të provojë njeriu, i varrosur gjallë brenda një varri. Pra, çka dihet me siguri, është se vdiq si dëshmitar i fesë së Krishtit, duke krye deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar, duke dhuruar jetën për Zot e popull të vet. 

17/05/2017 13:55