2017-05-17 17:03:00

Ardhmëria e Evropës, në audiencën e Papës me ipeshkvijtë e Comece


Ardhmëria e Evropës, në qendër të audiencës së Papës me kryesinë e Komisionit të episkopateve të Bashkimit Evropian, Comece, dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës. Delegacioni kryesohej nga kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës dhe kryetar i organizmit.

Emergjenca e emigrantëve, përmasa shoqërore e Evropës, vizionet e ndryshme të Bashkimit Evropian, kërcënuar nga shpërbërja dhe nga  ekstremizmat, janë disa nga temat rreth të cilave do të flitet në kongresin “Të rimendohet Evropa”, që do të mbahet në Romë, nga 27 deri më 29 tetori i ardhshëm. Organizohet nga Komisioni i episkopateve të Bashkësisë Evropiane, kryesia e të cilit u prit nga Papa në Shtëpinë e Shën Martës. Në qendër të takimit, pikërisht ardhmëria e Kontinentit të Vjetër, temë e dashur për Françeskun, siç e nënvizoi ai vetë në audiencën me krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane, me rastin e 60-vjetorit të Traktateve të Romës, marsin e kaluar. Argumenti do të jetë në qendër  të kongresit të vjeshtës, siç na e shpjegon imzot Gianni Ambrosio, ipeshkëv i Piacenza-Bobbio-s, zëvendës-kryetar i Comece:

“Papa e dëshiron këtë takim. Dëshiron edhe të ketë shumë dialog ndërmjet institucioneve kishtare si dhe të gjithë atyre, të cilët e kanë për zemër Evropën, pra edhe disa politikanëve, pikërisht sepse Evropa jonë ka nevojë për një hov të ri, për një shikim drejt së ardhmes. Papa është shumë i interesuar që Evropa të luajë një rol strategjik edhe në gjirin e botës së globalizuar, sepse është ekonomi më shumë sociale, gjë që gjetiu nuk është e që duhet zhvilluar. Papën e shqetëson shumë papunësia e të rinjve e i njeh mirë të dhënat statistikore të vendeve të ndryshme. Ja, pra, kjo Evropë ka nevojë të rilindë, gati-gati të rithemelohet!".

 

Që kur vizitoi institucionet komunitare në Strasburg, nëntorin e vitit 2014, Françesku pati kujtuar nevojën për t’i rikthyer dinjitetin punës. Sot një emergjencë tjetër thellësisht evropiane, është ajo e rritjes së populizmave, që u vu në dukje në zgjedhjet e kohëve të fundit. Reflektim i kardinalit Marx, kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës dhe kryetar i Comece-s, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

“Deswegen wollen wir…

Ne, në Comece, duam të nënvizojmë nevojat e një Evrope gjithnjë më shoqërore. Aspekti shoqëror i Bashkimit duhet të bëhet përherë e më i dukshëm, madje duhet të jetë shtyllë e re e bashkëpunimit. Kjo do t’i kushtojë diçka të gjithëve, nuk do të mund të ketë një fitimtar: solidaritet do të thotë t’i mbartësh së bashku plogështitë, por edhe pikat e forcës. Do të jetë, prandaj, një dhjetëvjeçar plot me tensione për ardhmërinë e Evropës. Tani, në vitet e ardhshme, do të vendoset nëse Evropa do të copëzohet sipas interesave kombëtare, apo do të bëjë përpjekje për vizionin e përbashkët të së ardhmes".

 

Evropa ka rrezik “të shkrihet” - kujtoi Françesku në konferencën e shtypit gjatë fluturimit të kthimit nga shtegtimi në Egjipt. - Eshtë ky, aktualiteti evropian, që u pasqyrua edhe në diskutimet e delegatëve të Comece-s, mbledhur në mars në Bruksel, për plenaren e tyre. Na flet, për këtë, zëvendës-kryetari tjetër i organizmit, imzot Rimantas Norvila, ipeshkëv i Vilkaviskis, në Lituani:

“Sot kemi jo vetëm këndvështrime të ndryshme, por edhe disa ndarje: Lindje-Perëndim, Jug-Veri, tradita të vendeve të ndryshme, shumë pikëpyetje, që kanë të bëjnë me familjen dhe jetën. E gjithë kjo ndodh njëherësh. Pastaj janë imigrimet dhe emigrimet në Bashkimin Evropian, kjo duket sheshit! Vlerat, atëhere, duhet të jenë ato, që çojnë në ndërtimin e përbashkët të ardhmërisë së Evropës në kombet e ndryshme, duke dialoguar politikanët e Kisha, e cila nuk dëshiron të mbetet jashtë këtyre rrethanave. Pa harruar dialogun ndërmjet feve dhe mjediseve të ndryshme shoqërore: e gjithë kjo çon drejt bashkimit dhe drejt një jete më të mirë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.