2017-05-16 13:48:00

Raporti AIF: pakësohen veprimtaritë e dyshimta


U publikua sot Raporti vjetor 2016 i AIF-it, Autoritetit të Informacionit Financiar të Selisë së Shenjtë, që ka për detyrë parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndër rezultatet kryesore të vitit të kaluar mund të vihen në dukje: nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar të autoritetit vatikanas me palët e huaja kundër veprimtarive të paligjshme, konsolidimi i sinjalizimit të veprimtarive të dyshimta dhe përforcimi i kuadrit të rregulloreve.

Veprimtaritë e dyshimta janë pakësuar, deklaroi në konferencën për shtyp, kryetari i AIF-it, René Brülhart. Në vitin 2015 qenë sinjalizuar 544, ndërsa vitin e kaluar, 207. Gjatë 2016-ës, Vatikani ka dërguar 22 raporte, me të cilat ka kërkuar hetime të mëtejshme nga ana e Autoritetit gjyqësor të Vatikanit. Është rritur edhe numri i bashkëpunimeve me autoritetet e ngjashme në botë. Vitin e kaluar ky numër ka arritur në 837, ndjeshëm më i lartë se 380 bashkëpunimet e vitit 2015. Gjatë vitit të kaluar, AIF ka nënshkruar Protokolle mirëkuptimi me një sërë vendesh, ndër të cilët edhe Shqipëria. AIF është anëtar i “Gurpit Egmont” që nga viti 2013.








All the contents on this site are copyrighted ©.