2017-05-16 13:31:00

I Lumi Vladimir Gjika, martir, me origjinë shqiptare.


Kalendari kishtar, më 16 maj, përkujton të Lumin Vladimir Gjika, martir nën regjimin komunist në Rumani, me origjinë shqiptare. Vladimir Gjika, meshtar rumun, me origjinë shqiptare, u shpall i Lum më 31 gusht 2013.  Ai u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.

Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Pra, me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qëndror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua një Meshë solemne me ritin e Lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Atë Gjika u arrestua në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë e i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.

I Lumi imzot Vladimir Gjika, lidhet drejtpërdrejt edhe me Kombin shqiptar, sepse me gjak ishte shqiptar, e sipas kardinalit Anxhelo Amato,  ky i Lum, i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë.

Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta, që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.
Besnik ndaj teologjisë së tij të nevojës (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha forcat të sëmurët, të plagosurit e robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948 kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.

Çka mund të thuhet për martirizimin e tij?
Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme të shfarosjens në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.

Çfarë rëndësie ka Lumnimi i Vladimir Gjikës?
Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës. Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve. Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar.
Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhimbsurisë ndaj refugjatëve, të plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi.
Aspetki i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizmit, nën regjimin çnjerëzor të stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.

Si duhet shikuar Lumnimi i Vladimir Gjikës?
Lumnimi duhet parë si shenjë profetike pajtimi e paqeje, si kujtim i një të kaluare të trishtuar, që nuk duhet të përsëritet në asnjë mënyrë, e si impenjim për të ndërtuar ardhmërinë plot shpresë, bashkim vëllazëror, liri e gëzim.

                                                                       ******

Familja e Vladimir Gjikes, e mirënjohur në Shqipëri, e ka origjinën nga Përmeti, nga ku është larguar në vitet 1500-1600 për t’u vendosur në lagjen Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa, për vite me radhë Moldavinë dhe Vllahinë. Por i dhanë botës edhe njerëz të kulturës, si për shembull, Elena Gjikën, apo Dora d’Istria. Nga kjo familje rrjedh edhe mons. Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik, në moshën 50-vjeçare. Deri atëherë, ai mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris, Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun.

Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buenos Aires, ku mori pjesë në kongrese eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë, që i atribuohen ndërhyrjes së tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit të fronit japonez. U shua, në vitin 1954, në një burg komunist të Rumanisë, për shkak të torturave të “Securitate”-s, dokumentuar nga vetë martirizuesit e regjimit, por edhe nga dëshmitë e shokëve të burgut.

Është jashtëzakonisht i njohur dhe i marrë si shembull për frymën e tij ekumenike. Thoshte se ishte bërë katolik, për të qenë ortodoks më i mirë. Dëshironte me gjithë shpirt bashkimin e Kishës Katolike me Kishën Ortodokse. Papa Piu XI, pasi e pati emëruar “protonotar apostolik” në vitin 1931, duke bërë shaka me të, por duke vënë në dukje impenjimet e tij të shumta ungjillëzuese në të gjithë botën, e quante “vagabondi i madh apostolik i shekullit XX”.

Fillimisht në Paris, ku ndenji në një barakë të vetmuar, në mes të të varfërve, duke fituar shpirtra për Zotin e pastaj, në rektoratin për të huajt, që i ofroi kryeipeshkvi i kryeqytetit francez, mons. Gjika dinte t’u fliste e të ndihmonte si më të ligështit e shoqërisë, ashtu edhe më fatlumët e pasur, tek të cilët shihte nevojën që kishin për t’i dhënë kuptim jetës. Zhak Mariten, Pol Klodel, Henri Bordò, Fransua Moriak, njerëz të tjerë të kulturës e të artit qenë miqtë e tij, së bashku me refugjatët politikë, të persekutuarit e të mënjanuarit. Shkruan e lexohet, flet e dëgjohet nga ata, që mahniten me katolicizmin e tij, vërtet i madh, sublim, hyjnor; mrekullohen nga Jezusi, që nuk u paraqitet si përrallë fëmijësh, por si e Vërteta Absolute dhe e amshuar.

Në vitin 1939 kthehet në Rumani për t’u takuar me të afërmit e vendos të qëndrojë aty, pasi sheh sprovat, që i duhet të kalojë vendi, fillimisht për shkak të luftës e pastaj, për shkak të komunistëve. Në vitin 1948, mbreti i ri Mihail dëshiron ta marrë me vete, në Evropën e lirë, larg persekutimit, por ai nuk pranon, i bindur se po shkonte nën kudhrën e hekurt të drapërit e çekanit. Policia e Çausheuskut i hoqi së pari, të drejtën për t’u larguar nga shtëpia, sepse “ajo që bënte e predikonte, ishte shumë e rrezikshme për revolucionin”, e pastaj e arrestoi më 19 nëntor 1952. Gjykata e të pafeve, megjithëse ishte tashmë 80 vjeçar e dënoi me 30 vjet burgim. Kështu, mbërriti ora e flijimit suprem: më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme, siç mund të ishin të aftë vetëm komunistët, Imzot Vladimir Gjika u dha fund vuajtjeve për të shkuar tek Ati Qiellor. Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!








All the contents on this site are copyrighted ©.