Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Ekspozitë për Menorah në Muzetë e Vatikanit e në Muzeun hebraik të Romës

Guri i Magdalës - REUTERS

16/05/2017 00:00

U hap sot e do të mund të vizitohet deri më 23 korrik, ekspozita “Menorah. Kulti, historia e miti”. E realizuar paralelisht në Krahun e Karlit të Madh të Muzeve të Vatikanit dhe në Muzeun Hebraik të Romës, është projekti i parë i përbashkët ndërmjet dy institucioneve. Ekspozita tregon historinë e Menorah - Shandanit me shtatë krahë, simbol identitar i popullit hebraik - përmes një rruge të gjatë historike, pasuruar me rreth 150 vepra arti: skulptura, piktura, dorëshkrime dhe ilustrime librash. Folëm me organizuesit e ekspozitës, historianin e artit, Francesco Leone, dhe me Arnold Nesselrath, delegat për Departamentin Shkencor dhe Laboratorët e Restaurimit të Muzeve vatikanase. Francesco Leones i drejtuam pyetjen: ç’është Menorah?

Menorah është shandani i artë mitik, legjendar, me shtatë krahë, që Zoti, nga Sinai, i dha urdhër Mosiut ta realizojë me një derdhje të vetme ari të kulluar: Shandani origjinal duhet të peshonte 35 kilogram. Menorah ka histori mijëravjeçare e legjendare. Është një lloj Grali i shenjtë, si Kelku i shumëkërkuar në shekuj i Darkës së Mbrame të Krishtit. U vendos në Tempullin e Salomonit në shekullin X para erës së krishterë; u grabit nga babilonezët e pastaj iu rikthye popullit të Izraelit, kur u riatdhesua nga internimi babilonez. Kjo vepër, e punuar me dorë mjeshtri, kaloi nëpër një mori ngjarjesh të tjera legjendare e mitike. U mbart edhe në Romë, nga gjenerali Tito, në vitin 71 para Krishtit, pasi Tempulli i Jeruzalemit u rrafshua nga romakët. Por s’kishte arritur ende mirë në Romë, kur shandani u zhduk përgjithmonë, i plaçkitur nga vizigotët e Alarikut, ose nga vandalët e Gjeneserikut, për të përfunduar, ndoshta, në Kostandinopojë. Që këtu, me që Menorah duket e zhduket në rrjedhë shekujsh e ngjarjesh të bujshme historike, në Romë lindën një mori legjendash, mitesh e rrëfimesh mbi aventurat e pabesueshme, që vijuan  të krijohen deri në shekullin XX. Prej këndej, Roma ishte teatër ideal për realizmin e kësaj ekspozite…

Më pas i drejtuam një pyetje edhe Profesorit Nesselrath, çfarë do të shikojmë në Vatikan e në Muzuen Hebraik të Romës?

 Do të ecim në gjurmët e historisë së Menorah, duke nisur nga elemente autentike: kemi një riprodhim të Harkut të Titos me relievin, që dëshmon për arritjen e Menorah në Romë. Kemi edhe gurin e Magdalës - një sensacion i madh - që u gjet vetëm në vitin 2009.

 Mendoni se guri i Magadalas është, ndoshta, eksponati më i rëndësishëm i ekspozitës?

Hera e parë që del nga Izraeli, falë lejës së Shtetit izraelit. Është një reliev i Menorah, realizuar në kohët kur ishte ende në këmbë Tempulli i Jeruzalemit. Me portretin, natyrisht, të perandorit Tito. Është edhe një ripunim i krishterë i Menorah, që vjen nga Shenjtërorja e Mentorelës, në Lazio. Shpaketuam Shandanin e madh të Pandaborit, shembull që tregon sesi krishterimi kujtonte, përmes shandaneve me shtatë krahë, rrënjët e veta hebreje. E ky është një element tejet i rëndësishëm i ekspozitës. Sepse, në një çast kur luftërat justifikohen me fetë, ky simbol flet qartë e zë e rrëfen se fetë nuk duhet të luftojnë ndërmjet tyre, përkundrazi, duhet të bisedojnë shtruar, të ndriçuar nga shtatë krahët e dritës mitike. Më emcionoi thellësisht pamja e afishes së Ekspozitës romake për Menorah, pranë fasadës së Shën Pjetrit. Besoj se ky është simbol i fuqishëm, që transmeton ekspozita e Shandanit. Për ne ka shumë rëndësi ky dialog, kjo bashkëjetesë. Pavarësisht nga perspektivat e ndryshme, duam të arrijmë të tregojmë se mund të ndërtojmë së bashku, edhe me ide të ndryshme. 

16/05/2017 00:00