2017-05-15 16:54:00

Panama: Paraqitet logoja e DBR-së 2019, vizatuar nga një studente


Një zemër e stilizuar, njëra pjesë e së cilës formon shkronjën “M”. E pastaj Kanali i Panamasë, simbol i udhës së shtegtarit i cili zbulon, në Marinë, udhën për ta takuar Jezusin; Istmi i stilizuar, emblemë e tokës panameze; në të majtë, Kryqi shtegtar; në të djathtë, silueta e Zojës, e shoqëruar nga pesë pika të bardha, si shenjat e kurorës së Marisë, por edhe simbol i shtegtarëve, që vijnë nga pesë kontinentet. Së fundi, ngjyra e flamurit  të vendit organizues. Është kjo, logoja e Ditës Botërore të Rinisë 2019, që do të mbahet në Panama, nga 22 deri më 27 janar 2019.

Logo e zgjedhur ndërmjet qindra propozimeve

Fituese e konkursit - njofton agjencia Sir - është Ambar Calvo, studente 20 vjeçare e arkitekturës në Universitetin e Panamasë. Logoja u zgjodh ndërmjet 103 propozimeve të paraqitura para Komitetit ekzekutiv për DBR-në dhe dikasterit vatikanas për laikët, familjen e jetën. Dje, paraqitja, gjatë kremtimeve me të cilat u prit arritja në Panama e Kryqit shtegtar të DBR-së.

Panamaja, vend i vogël, me zemër të madhe

Kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta pohoi se u emocionua shumë nga talenti i të rinjve panamezë e, sidomos, i Ambar, e cila arriti ta mishëronte mesazhin që Panamaja dëshiron t’u përcjellë të rinjve të botës: vend me përmasa të vogla, por me zemër të madhe, të hapur për të gjithë, pa asnjë përjashtim, me dorën e Virgjërës Mari. E re guximtare, e impenjuar e bujare, që diti t’i thotë ‘po’ thirrjes së Zotit - nënvizoi prelati.

Të rinjtë, rezervë morale e shoqërisë dhe e Kishës  

“Të rinjtë janë rezerva morale dhe njerëzore e shoqërive tona, edhe e vetë Kishës - shtoi imzot Mendieta. Janë të aftë t’i shndërrojnë plotësisht e pozitivisht. Rrezikojnë, siç bëri Maria e Nazaretit, mjafton të jemi të aftë t’i mësojmë të duan, si na deshi, e si na do, Jezusi. Fituesja, nga ana e saj, shpjegoi se, përmes logos, deshi të shprehë “dashurinë dhe besimin në Marinë, në çastin kur thotë: ‘U bëftë vullneti yt!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.