Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Ipeshkvijtë e Perusë tek Papa: Kisha pranë të vuajturve

Ipeshkvijtë e Perusë te Papa Françesku

15/05/2017 14:32

Papa Françesku priti sot në vizitë ad Limina, ipeshkvijtë e Perusë. Për gjendjen në vend dhe për punën e Kishës Katolike, pyetëm kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, imzot Salvador Piñeiro García-Calderón, kryeipeshkëv i Ayacucho-s. Prelati nënvizon vështirësitë ekonomike dhe problematikat shoqërore të Perusë:

         Nuk kemi kaluar çaste të lehta, ka shumë pasiguri, për shkak të denoncimeve në fushën e funksioneve publike, për shkak të katastrofave natyrore – të mendojmë për uraganin Niño, për shembull. Njerëzit janë të zhgënjyer, por besojnë në Krishtin dhe e duan Kishën. Kemi një krizë ekonomike dhe morale shumë të madhe. Na shqetëson mungesa e familjes; kriza e saj është gjithnjë më e rëndë, nënat braktisen… Na shqetëson edhe fakti se disa politikanë duan të miratojnë “ligje nën rrogoz” e përpiqen ta mënjanojnë Kishën nga diskutimi publik. Tani për tani nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, por ka gjithmonë nga ata, që mbrojnë idelogjinë “gender” dhe martesat homoseksuale. Pastaj, është tema e pyjeve të Amazonës: më se 60% e territorit tonë ndodhet brenda tyre e kjo do të thotë distanca të mëdha, burime të pakta, izolim të popullsisë…Ua kemi kthyer shpinën, duhet të jemi të ndershëm. Kemi tetë ipeshkvij në Vikariate Apostolike me territore tejet të gjera, pak personel e shumë sfida. Duhen ndihmuar më tepër.

         Por këta ipeshkvij kanë ndenjur afër popullsisë, sidomos në zonat ku ka pasuri minerare, për të mbrojtur indigjenët nga shfrytëzimi i territoreve të tyre. Si është gjendja aktualisht?

         Që në fillim, ipeshkvij të ndryshëm e kanë ngritur zërin në ato zona ku shfrytëzimi i minierave është bërë në mënyrë të çrregullt. Kisha Katolike ka luftuar njëlloj si në epokën e kolonializmit, kur denonconte shfrytëzimin e indigjenëve për prodhimin e kauçukut. Edhe sot, duhet respektuar ekologjia dhe njerëzit e të mos shikohet vetëm prodhimi.

         88% e popullsisë peruviane deklaron se është katolike. Por, po bëhen gjithnjë e më të pranishme sektet. Pse rritet ky fenomen?

         Aty ku nuk është e pranishme Kisha, mbërrijnë sektet. Kohët e fundit, ndonjë anëtar i Kishës ka dhënë shembull të keq, që është shfrytëzuar nga mass media. Është fjala për “Shoqatën e jetës së krishterë”, e cila ka pasur probleme abuzimi seksual, të cilat janë denoncuar e Gjykatat kanë hapur hetimet. Ka një rënie të madhe thirrjesh për t’ia kushtuar jetën Zotit. Është çast i vështirë, por duhet të kemi shpresë e t’i lutemi Zotit të na tregojë rrugën. Përsa i përket laikëve, klerikalizmi po na paraqet llogarinë. Deri tani, kemi thënë: “Këtë e bën vetëm meshtari”, “Ky është misioni i famullitarit”. E kështu, nuk i kemi përgjegjësuar laikët e nuk u kemi dhënë vendin, që meritojnë. Kisha nuk është ipeshkvi, por të gjithë besimtarët e pagëzuar. Ngul këmbë në familjen, e cila është fidanishtja e thirrjeve për meshtari. Por, në Peru, ndër 100 fëmijë që lindin, 70 janë pa familje. Kriza është e fortë.

         A ka një plan baritor Konferenca Ipeshkvnore? Cilat janë përparësitë?

         Nuk e kemi të lehtë të miratojmë një plan kombëtar baritor, për shkak të kontekstit gjeografik. Janë 45 dioqeza: bregdeti ka ritmin e vet, Veriu një tjetër, Cordigliera (vargmali) është diçka tjetër… Një rast tipik: unë jam kryeipeshkëv metropolitan e dy dioqezat sufragane janë njëra 5 orë e tjetra 16 orë larg. Nuk është e lehtë të kemi një plan kombëtar, por po punojmë për këtë.

15/05/2017 14:32