Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Mbretëreshën Qiellore: lutje e pendesë për t’u dhënë fund luftërave

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - AFP

14/05/2017 14:45

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa kujtoi shtegtimin e tij në Fatima, që përfundoi mbrëmë. Françesku theksoi se sot ndjehet fort nevoja e lutjes dhe e pendesës, për t’u dhënë fund luftave, posaçërisht në Lindjen e Mesme, ku pakicat pësojnë dhunë e diskriminime tragjike.

E sot, që heret në mëngjes, siç bën pas çdo shtegtimi, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Kishte në dorë një tufë me lule të bardha, të cilën e vuri para ikonës së Zojës “Shpëtimi i Popujve Romakë”. U gjunjëzua aty në lutje të heshtur, përballë figures së Marisë, rreth njëzet minuta.

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa vuri në dukje se shenjtëria e Françeskut dhe e Xhaçintës nuk është pasojë e dukjeve, por e besnikërisë dhe e zellit me të cilin iu përgjigjen hirit të madh që patën, për të parë Virgjërën Mari.

Të kujdesemi për fëmijët e të lutemi për paqen

Me shenjtërimin e tyre, Papa deshi të tërheqë vëmendjen e mbarë Kishës në mbrojtje të fëmijëve. Në Fatima, lutja rrjedh si lumë që prej njëqind vjetësh, në kërkim të mbrojtjes amtare të Marisë për mbarë botën. Shembulli i Françeskut e i Xhaçintës, të cilët asokohe luteshin për fundin e Luftës I Botërore, vlen edhe për sot:

“Edhe sot ndjehet shumë nevoja e lutjes dhe e pendesës, për kërkuar hirin e kthimit në rrugën e Zotit, hirin që të marrin fund, kudo nëpër botë, shumë luftëra, të cilat vijojnë të përhapen; të marrin fund konfliktet e mëdha absurde e konfliktet e vogla familjare, si dhe të gjitha tipet e dhunës, që ia shëmtojnë fytyrën njerëzimit”.

Shumë njerëz e pakica vuajnë nga lufta    

Papa ia besoi Marisë Mbretëreshë e Paqes, fatet e popullsive të munduara nga lufta e nga konfliktet, posaçërisht në Lindjen e Mesme. Në të vërtetë - nënvizoi Ati i Shenjtë - shumë njerëz të pafajshëm, të krishterë, myslimanë e përfaqësues të pakicave, si yazidët, u nënshtrohen dhunës tragjike dhe diskriminimeve:

“Solidaritetin tim e shoqëron kujtimi në lutje, ndërsa i falënderoj të gjithë ata, që angazhohen për t’ua plotësuar nevojat humanitare. Inkurajoj bashkësitë e ndryshme të ecin në rrugën e dialogut, të pajtimit e të miqësisë shoqërore, për të ndërtuar një ardhmëri me respekt, siguri e paqe, larg çdo lloj lufte”.

Papa kujtoi edhe se dje, në Dublin, u shpall i Lum meshtari jezuit John Sullivan, që njihej, e njihet, si atë i njerëzve të varfër e të munduar.

E akoma, Françesku u drejtoi një përshëndetje te posaçme besimtarëve të nismës “Karroca të zbrazura”, ardhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit për festën e nënës.

Nisma ishte kushtrim që, me parullën e saj “Fëmijë? I dua, por nuk mundem!”, kujtoi se shoqëritë e sotme po plaken pa shpresë përtëritjeje, sepse vijojnë t’i lënë “djepat - e karrocat e fëmijëve bosh”. Prej këndej, fjalët e Papës:

 “Ardhmëria e shoqërive tona kërkon nga ana e të gjithëve, sidomos e institucioneve, vëmendje konkrete ndaj jetës e amësisë. E kjo thirrje është posaçërisht domethënëse sot, nësa në shumë vende kremtohet Festa e Nënës.

Së fundi, një propozim besimtarëve: “Të lutemi disa minuta në heshtje, secili për nënën e vet”.

14/05/2017 14:45