Meditim, frymëzuar nga Liturgjia e së Dielës V të Pashkëve ‘A’)
Në dritën Tënde
I kërkojmë ethshëm udhët
ku fshihet lumturia:
udhët vezulluese të suksesit,
udhët buçimtare të pushtetit,
udhët aq joshëse të kamjes,
udhët e rehatshme
të mbylljes në vetvete,
udhët rrëshqitëse të kënaqësive,
shijuar shpejt e shpejt…
Na rrejtën, o Zot,
për krahu na morën
drejt shtegut të verbër
të frymës së ligë!
Gëzim na premtuan,
na lanë pa shpresë.
Premtuan udhë,
na lanë buzë honi.
Kënaqje premtuan,
na dhanë kënaqësi pa krena!
Besuam në mirëqenie
e sot vajtojmë në varfëri;
Na joshën me rininë,
mendjen na e shprishën
e u plakëm para kohe,
harruam der’ emrin tonë!
Atëherë u dehëm tapë
e veshët i mbyllëm
për njëmijë zërat
e botës gënjeshtare.
Se s’ka më shpresë besuam…
s’ka jetë,
s’ka udhë,
s’ka të vërtetë…
E veç atëherë kuptuam
se Ti je shpresa;
je udha
je e vërteta…
se vetëm Ti na nxjerr
nga terri i shpirtit tonë,
e shohim hijet në Dritë!
Ti vetëm na tregon
fytyrën e Zotit
e na i ndriçon
shtigjet më të errta të zemrës.
All the contents on this site are copyrighted ©. |