Meditim, frymëzuar nga Liturgjia e së Dielës V të Pashkëve ‘A’
Shtegu i Amshimit
Vërtet Jezus,
ka çaste kur tundimi
më përkdhel me kthetra
e gjithçka më duket e kotë:
e kotë, lufta,
krejtësisht e kotë beteja
e humbur, pa filluar...
Kur shoh dinakët, që shtiren
e jeta u shkon fjollë
veç me fitore;
kur para hundës sime
shoh padrejtësi
der’ ku s’i pres,
krejt pa fuqi për mbrojtje;
kur të varfrin shoh e të ligshtin,
të tallur, të fyer, të vjedhur
prej frymës së ligë,
humbas çdo shpresë!
Mendoj “thua do të pushojë
ninulla e urisë
përmbi këtë tokë?
Ku është, o Zot
plani yt i shpëtimit?
Do të vijë thua ndër ne
çka Ti e kumtove mbi Kryq?
Apo do të jem gjithnjë
i humbur, përkrah të humburve,
ëndërrues përkrah ëndërrtarëve,
që zgjimi i tmerron?
Prandaj të lutem, o Zot,
mos më lërë me sy plot mjegull,
me ëndrra të dyfishta:
që lëkunden shrregull.
Më çliro nga frika
e kohës së ngujuar,
Mos më lërë me sy të përlotur
të sjellë kah Kryqi.
Ti më depërto ndër dej
e ndritma udhën
te koha e zgjimit.
Zhgënjimin shndërroma në shpresë.
Më jep fe në tundim,
e forcë në provë.
Në një botë ku plagët s’mbyllen
e njerëz syverbër më shikojnë…
Ti më jep, të lutem,
urti edhe guxim
që të nisi ditë për ditë
shtegtimin për Amshim.
All the contents on this site are copyrighted ©. |